Një grup prej pesëdhjetë personave, të cilët prej më parë janë të njohur për policinë, ndërsa një pjesë e tyre kanë marrë pjesë edhe në sulmin në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, kanë lidhje me incidentin në Krushevë gjatë kremtimit të Ilindenit. Disa prej tyre brohoritnin fjalë fyese ndaj pjesëtarëve të përkatësisë etnike shqiptare dhe hodhën me gjësende ndaj delegacionit qeveritar dhe diplomatëve të huaj.
Kryeministri Zoran Zaev tha se Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, vazhdimisht ka qenë me të edhe në Pelince dhe në Bllagoevgrad dhe ai ka qenë i informuar me kohë për të gjitha ngjarjet në lidhje me incidentin.
“Para kohe e dinim se është e mundur të ndodhte diçka e tillë edhe më parë ka pasur reagime nga strukturat e këtilla radikale në Meçkin Kamen dhe nga MPB-ja janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Policia ishte e sistemuar në mënyrë adekuate edhe në pjesën e uniformave edhe në personat civil, nëse shkohet më tutje mund të jetë më tendencioze dhe të lihet përshtypje e gabuar. Nuk ka lëshime nga ana e policisë”, tha Zaev dje në një intervistë për 1TV.
Theksoi se dikush i ka motivuar ata individ të sillen ashtu dhe shtoi se ato janë të njëjtat shoqata kuazipatriotike, grupe tifozësh.
Zaev theksoi se pas përpjekjeve të këtilla për përhapje të gjuhës së urrejtjes fshihet dëshira për amnisti dhe ikja nga përgjegjësia për individë të caktuar.
“Jam i vetëdijshëm se papërgjegjësia dhjetëvjeçare, e cila tani më nuk tolerohet, prodhon vërshime të këtilla tek disa individ. Institucionet me syhapur ndjekin dhe punojnë dhe do të veprojnë pa dallim se për kë bëhet fjalë”, tha Zaev
Kryeministri ka thënë se me Ivanovin është parë para festës së Ilindenit në Krushevë. Kanë pasur mbledhje, që siç ka thënë ka qenë i këndshëm, ndërsa është folur për çështje rajonale dhe shtetërore, për sigurinë, të ardhmen dhe momentet aktuale.
“Me Ivanovin kishim mbledhje të këndshme, kemi folur për pritjet në Meçkin Kamen. Për fat të keq, ndodhën motivime nga vetë fjalimi i presidentit, persona, me siguri nën ndikimin e alkoolit, të përhapin urrejtje”, ka thënë Zaev.
Komisioni Evropian (KE) ka reaguar në fjalimin e presidentit Gjorge Ivanov dje në Meçkin Kamen ku deklaroi se nuk e mbështet marrëveshjen me Greqinë për emrin. Brukseli porositi se pret nga të gjitha anët të jenë konstruktiv.
“Presim nga gjitha forcat politike të luajnë rol konstruktiv në përkrahjen e qëllimit të përbashkët strategjik të integrimit evropian dhe të sigurojnë implementimin e marrëveshjes”, kanë thënë për MIA nga Komisioni Evropian.
Brukseli lidhur me incidentet në Krushevë, i fton qytetarët qetësisht të shprehin pikëpamjet e tyre sepse “ky është moment i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, thonë nga KE për MIA.
Policia siç publikoi dje MIA identifikoi disa nga personat, të cilët përhapën gjuhë urrejtjeje dhe hodhën me gjësende ndaj delegacionit qeveritar dhe diplomatëve të huaj, të cilët morën pjesë në kremtimin e Ilindenit në Krushevë.
Ministria e Mbrojtjes (MM), megjithatë, formon Komision me qëllim të ngritjes së procedurës kundër ushtarit profesionist Martin Bogoevski, i cili njihet në video xhirimin e incidentit të djeshëm të kremtimit të festës Ilinden në Meçkin Kamen në Krushevë.
“Me qëllim që të bëhet e qartë situata edhe në prapavijën e ngjarjeve, ushtari profesionist Bogoevski sot është ftuar në bisedime dhe në marrje në pyetje në Policinë ushtarake. Gjatë marrjes në pyetje, ushtari Bogoevski, edhe pse në video-xhirim shihet si qëndron në radhë të parë, ka mohuar se ka marrë pjesë në incidentin në të cilin janë sulmuar verbalisht dhe me hedhje gjësendesh ndaj të ftuarve të larta zyrtarë nga vendet e huaja, si dhe delegacioni qeveritar që erdhi në Meçkin Kamen me qëllim që të marrë pjesë në kremtimin e Ilindenit”, kumtoi MM.