Edison Kavani ishte heroi i Uruguait, në sfidën e 1/8-ave me Portugalinë, pasi shënoi të dy golat për amerikano-latinët, duke kualifikuar skuadrën e tij për në çerekfinale, ku do të gjejnë përballë Francën. Gjithsesi sulmuesi la sfidën rreth 20 minuta para fundit, për shkak të një problemi në këmbë, që ka vënë seriozisht në dyshim edhe prezencën e tij në sfidën çerekfinale. Ditën e djeshme janë kryer edhe vizitat mjekësore të sulmuesit uruguaian dhe është konstatuar se dëmtimi është shqetësues, ndërsa Cavani do të vijojë stërvitjen i diferencuar nga grupi. “Rezonanca nuk ka evidentuar ndonjë problem të rëndë, por ka zbuluar një dëmtim të pjesës poshtë pulpës së këmbës së majtë. Sulmuesi do të kryejë një stërvitje të diferencuar nga grupi dhe do t’i nënshtrohet fizioterapisë. Ndërkohë, asnjë problem për pjesën tjetër të grupit, që mbetet në dispozicion të trajnerit veteran Tabarez”, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga Federata Uruguaiane e Futbollit.