Shkup, 31 janar – Nxënësit në Maqedoni stagnojnë në arritjet e testimeve ndërkombëtare, ndërsa mbi gjysma prej tyre nuk i zhvillojnë kompetencat themelore, të cilat u nevojiten për sukses në jetë pas përfundimit të arsimit të tyre, tregon Projekt-raporti i përgatitur nga ekipi ekspert i OECD-së (Organizata për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim), e cila vitin e kaluar ka bërë analizë të gjendjeve në arsimin fillor dhe të mesëm, informon Koha.
Projekt-raporti përmban rekomandime për reforma të vlerësimit kombëtar, revidimit të maturës shtetërore dhe zhvillim të sistemit funksional për dhe zhvillim të karrierës së arsimtarëve. Sot e prezantuan MASH, UNICEF dhe OECD, me qëllim që konkludimet dhe vendimet që janë ofruar të inkorporohen në ligjet për arsim dhe të jenë të zbatueshme.
Hana Kiçen nga OECD në prezantimin tha se konkludimi i tyre i parë është se me rëndësi është të vendosen qëllime për matjen e përparimit. Ajo vlerësoi se vendi ka plane të mira, por ato duhet të operacionalizohen.
“Numër gjithnjë e më i madh i nxënësve regjistrohen dhe mbeten në arsimin formal, që është aspekt pozitiv, por prania në shkollë nuk shprehet në rezultatet e mësimit. Posaçërisht krahasuar me testimet ndërkombëtare, shohim se ende nuk janë arritur rezultatet e pritura”, tha Kiçen, duke e përmendur PISA-testimin, ku, siç tha, ka stagnim në dekadën e fundit.
Diçka më tepër se 50 për qind në PISA-testimet në vitin 2015 nuk kanë treguar kompetenca themelore në matematikë, shkenca natyrore dhe lexim”, kumtoi Kiçen.
Elspet Erikson nga Zyra e UNICEF-it në Maqedoni potencoi se nevojitet arsim që secilit fëmijë do t’i japë mundësi më të mirë që ta zhvillojë potencialin e vet maksimal në të gjitha fazat e jetesës.
“Ky tubim i ekspertëve sot do të merret pikërisht me atë se si të mundësohet një mundësi më e mirë për zhvillim më të mirë të fëmijëve në jetën e tyre. Kjo fillon me arsimin parashkollor, pasi, sipas shkencës, kjo është periudha ku zhvillohet 80 për qind e trurit. Por kjo duhet të shoqërohet me arsim të fuqishëm, të barabartë dhe cilësor për çdo fëmijë”, tha Eriskon.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi deklaroi se Projekt-raporti do të analizohet dhe se rekomandimet do të jenë pjesë e ligjeve të reja për arsim fillor dhe të mesëm, të cilat janë në përgatitje.
“Kjo analizë gjithsesi do të shërbejë si bazë për krijimin e politikave tona. Do të rishqyrtohen disa qëndrime të MASH-it dhe të Qeverisë në drejtim të përmirësimit të sistemit arsimor. Një pjesë e asaj që është në analizë është inkorporuar në projekt-versionin e ligjit për arsim fillor, ndërsa për disa punë do t’i shohim faktet, argumentet dhe rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë”, tha Ademi. (koha.mk)