Të gjithë të çmendur për talentin 18-vjeçar anglez Jadon Sancho, që luan në Bundesliga me skuadrën e Borussia Dortmund. Futbollisti i krahut ka shënuar deri më tani 9 gola në 35 ndeshje me kryesuesit e kampionatit gjerman, që kur ka debutuar në vitin 2017, duke tërhequr vëmendjen e skuadrave më të mëdha në Europë.
Kështu, pas PSG-së edhe ekipi i Manchester United është hedhur në sulm për Sancho, që kërkon ta rikthejë në vendlindje sezonin e ardhshëm. Ndaj për 18-vjeçarin mund të nisë një ankand i çmendur, ku shuma minimale që fituesi duhet të paguajë te Borussia do të jetë 120 milionë euro.
Vlera e Sancho është rritur ndjeshëm këtë sezon, duke shkëlqyer në fushë edhe pse është vetëm një adoleshent. Duket se ai po ndjek gjurmët e një moshatari të tij si Kylian Mbappe (20 vjeç), ndaj dhe PSG është gati të bëjë çmenduri për ta sjellë në Francë. Gjithsesi, të njëjtën gjë synon edhe Manchester United, ndërkohë që konkurrenca mund të rritet.
Jadon Sancho, që është rritur tek ekipet e Watford dhe Manchester City, ka një kontratë deri në vitin 2022 me skuadrën e Borussia Dortmund. Gjithsesi, verën e ardhshme ai do të jetë një nga lojtarët më të kërkuar në merkato dhe në garë, përveç PSG e United, mund të hyjnë edhe ekipe të tjera. Të gjitha ekipet kandidate duhet të hapin mirë portofolin për ta blerë, pasi në këtë moshë ai mund të thyejë edhe rekodin e transferimit të Mbappe.