Rreth 75 për qind të pacientëve marrin antibiotikë me rekomandim të mjekut. Në pyetjen se sa dinë për antibiotikët, 38 për qind prej tyre, kanë dhënë përgjigje të saktë, 43 për qind përgjigje të gabuar, ndërsa 25 për qind e të anketuarve nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigjeje”, thuhet në hulumtimin e ISHP-së, ndërsa supozohet të jetë i madh edhe numri i pacientëve që blejnë antibiotikë pa recetë. Të dhënat jozyrtare tregojnë se numri i saktë i njerëzve në antibiotikë në Maqedoni varion nga 27 në 40 njerëz për 1000 banorë
Delvina KËRLUKU
Shkup, 13 nëntor – Qytetarë të shumtë vazhdojnë të marrin antibiotik pa recetë mjeku. Shitjen në barnatore ka dështuar ta kontrolloj edhe Inspektorati Farmaceutik derisa mikrobiologët dhe mjekët thonë se pasojat e përdorimit të tepërt të tyre janë të mëdha, shkruan gazeta KOHA.
Maqedonia radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë në Europë të përdorimit të disa llojeve të antibiotikëve. Në barnatoret e qyteteve të vendit, antibiotiku vazhdon të shitet pa recetë mjeku, ndërsa ligji që ndalon shitjen e ilaçeve pa rekomandim të shkruar rrallë ose aspak nuk respektohet kur janë në pyetje antibiotikët. Se antibiotikët, qofshin me recetë apo pa rekomandim, gjejnë përdorim më të madh se sa në vendet tjera, tregon edhe një anketë e Institutit për Shëndet Publik, rezultatet e së cilës kanë treguar se për dallim nga vendet Skandinave, në Maqedoni antibiotikët përdoren tre herë ë shumë, ndërsa nga Sllovenia dy herë më shumë.
PAK NJOHURI PËR ANTIBIOTIKËVE
“Rreth 75 për qind të pacientëve marrin antibiotikë me rekomandim të mjekut. Në pyetjen se sa dinë për antibiotikët, 38 për qind prej tyre, kanë dhënë përgjigje të saktë, 43 për qind përgjigje të gabuar, ndërsa 25 për qind e të anketuarve nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigjeje”, thuhet në hulumtimin e ISHP-së. Madje, vjet, krahasuar me vitin 2016, është shënuar rritje për 10 për qind e shpenzimit të antibiotikëve, kjo sipas numrit të rekomandimeve të shënuara. Parashikimet zyrtare tregojnë se përdorimi i antibiotikëve në pesë vitet e fundit është rritur për 30 për qind, ndërsa konsumimi është dy herë më i lartë se ai zyrtar, që do të thotë se numri i saktë i njerëzve në antibiotikë në Maqedoni varion nga 27 në 40 njerëz për 1000 banorë.
Pasoja kryesore, thonë mikrobiologët, është rezistenca e sëmundjeve ndaj anatibiotkëve. Dmth këto barna personi që i ka përdor më parë, në të ardhmen nëse i përdor – nuk do të kenë efektet e dëshiruara. Doktor Afrim Aliu thotë se përdorimi i kimikateve pa pëlqimin e mjekut, nuk guxon të përdoret. “Pacientët për një temperaturë të lehtë ose për një ftohje të lehtë fyti, përdorin antibiotik pa pyetur mjekët, dhe kjo është e rrezikshme, pasi nuk mundet që çdo shqetësim shëndetësor të tejkalohet me antibiotik. Ky medikament ka efektin pozitiv, por edhe mund të bëjë kundërefekt gjatë përdorimit të gabuar”, thotë për KOHA, Aliu. Problemin, Aliu e sheh te barnatoret që japin antibiotikë pa recetë, ndërsa apelon që kjo të diskutohet në instanca më të larta të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Autoritetet shëndetësore duhet të bisedojnë me farmacistët, të cilët rreptësishtë nuk guxojnë që të japin antibiotikë pa vulën e mjekut. Duhet të rritet edhe vetëdija e mjekëve, të cilët u rekomandojnë pacientëve shumë shpesh antibiotikë”, thotë Aliu. Ai nënvizon se në seminare të ndryshme, edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin për Sigurim Shëndetësor së fundmi po diskutohet për përdorimin e duhur të antibiotikëve, por keqpërdorimet vazhdojnë.
Megjithëse nuk e pranojnë hapur, në barnatore mund të blesh antibiotikë sikurse blihen bonbonet në dyqane ushqimore. Në barnatoren “Zegin” në Bit Pazar konfirmojnë se një numër i madh i pacientëve këmbëngulin të marrin antibiotikë pa recetë.
“Është e vërtetë se vijnë shpesh klientë dhe kërkojnë antibiotikë pa recetë. Thuajse çdo i dyti klientë kërkon antibiotik, edhepse gjendja e tyre shëndetësore mund të shërohet në mënyrë me ilaçe tjera në Listën pozitive të ilaçeve”, tregon farmacistja Ermira nga “Zegini”. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se vazhdimisht punohet për të vetëdijesuar qytetarët për përdorimin racional të antibiotikëve, ndërsa në këtë drejtim, rregullisht ndiqen udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Maqedonia ndjek rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në luftën kundër rezistencës antimikrobiale. Ngritja e vetëdijes përmes leksioneve, organizimi i konferencave të ekspertëve dhe krijimi i një fushate publike për trajnimin e popullsisë për përdorimin racional të antibiotikëve janë masat që po ndërmarrim në këtë moment. Përveç kësaj, ne monitorojmë nga afër situatën, kryejmë monitorimin dhe në periudhën e ardhshme do të zbatojmë metoda të reja në luftën kundër rezistencës antimikrobike”, nënvizon ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai thotë se thellimi i partneritetit publik-privat në Maqedoni në fushën e kërkimit dhe monitorimit të përforcimit të ilaçeve, do të jetë i dobishëm.
GREKËT KRYESOJNË NË EVROPË PËR ANTIBIOTIKË
Organizata Botërore e Shëndetësisë në raportin e fundit ka lëshuar një listë prej 12 bakteresh që konsiderohen si një kërcënim i madh për shëndetin, sepse ato janë bërë rezistente ndaj shumicës së antibiotikëve dhe për të cilat duhet të gjendet një kurë sa më shpejt që të jetë e mundur, raporton KOHA.
Sipas Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Europian, deri në vitin 2017, më pak antibiotikë janë konsumuar në Holandë, ku 10 persona për 1000 banorë kanë konsumuar një antibiotikë në ditë. Pastaj vjen Estonia, Suedia, Letonia, Austria dhe Gjermania, ku 14 nga 1000 banorë kanë përdorur antibiotikë në çdo moment. Në BE antibiotikë më së shpeshti marrin grekët, ku 36 nga 1000 njerëz janë në terapi me antibiotikë. Shumë antibiotikë po konsumohen gjithashtu në Francë, Belgjikë dhe Itali, ku 28 nga 1000 njerëz janë në terapi me antibiotikë. (koha.mk)