Shkup, 29 korrik – Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në mbledhjen e sotme i konstatoi listat e kandidatëve të parashtruara në konkurset publike për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale mediale (ASHAAM) dhe të Këshillit programor të Radio televizionit të Maqedonisë (RTVM).
Siç kumtoi në mbledhje kryetari i Komisionit, Ilija Dimovski, në konkursin për ASHAAM janë paraqitur 28 kandidatë, prej të cilëve të gjithë i përmbushin kushtet formale – juridike për të vazhduar në fazat e ardhshme të procesit të zgjedhjes. Për Këshillin programor të RTVM-së kandidatura parashtruan 19 persona, prej të cilëve 18 i përmbushin kushtet formale juridike dhe vazhdojnë në fazat e ardhshme të procesit.
Listat e konfirmuara janë të kushtëzuara dhe para se të dërgohen në debat publik kandidatët duhet të kontrollohen nga ana e Komisionit antikorrupsion i cili duhet të parashtrojë mendim këshilldhënës për secilin prej tyre nëse i përmbushë kushtet për mosekzistim të interesave të konstatuara në pajtim me kushtet ligjore.
Në mesin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të ASHAAM-it ka të diplomuar nga profesione të ndryshme, si, ekonomistë, juristë, profesorë filozofie, filologë, magjistër të shkencave informatike, elektroinxhinier i diplomuar, doktor shkencash, komunikologë, gazetarë, politikologë. Nga emrat e kandidatëve të cilët u lexuan në mbledhje, disa janë të njohur për opinionin, si: Sefer tahiri, Klime Babunski, Snezhana Tërpevska, gazetarët Naser Selmani, Daut Dauti, Stojançe Naumov-Stole dhe Ljubisha Nikollovski.
Në listën prej 18 kandidatëve të cilët i përmbushin kushtet formale juridike për Këshillin programor të RTVM-së, ndërkaq, më të shumtë janë gazetarë, por ka edhe inxhinier të makinerisë, aktor dhe historian të artit. Nga emrat e njohur janë Vele Mitanoski, Goran Mihajllovski, Jasmina Mironski, ish-deputetja Flora Kadriu dhe historiani i artit, kritiku figurativ dhe kulturologu Zllatko Teodosievski.
Këshilli i ASHAAM-it numëron shtatë anëtarë, ndërsa Këshilli programor i RTVM-së duhet të numërojnë 11 anëtarë. Votimi, i cili është faza e tretë e procesit për zgjedhje të anëtarëve në këto dy trupa të kryhet me shumicë prej dy të tretave.
Pritet që mbledhja për debatin publik të caktohet pas pushimeve dhe pasi që të merret mendimi nga Antikorrupsioni.
Në mbledhjen e sotme u shqyrtuan edhe dy pika me të cilat u konstatuan Propozim-vendimet për ndryshim të vendimeve për zgjedhje të anëtarit të delegacionit të Kuvendit të RMV-së në Komitetin parlamentar për stabilizim dhe asociim dhe për emërim të anëtarit të Këshillit nacional për eurointegrim sipas propozimit të presidentit të shtetit.
Komisioni këto vendime i solli pas një pauze njëorëshe dhe harmonizimi të qëndrimeve mes pushtetit dhe opozitës pasi që fillimisht nuk kaloi propozimi i shumicës në pushtet që pikat lidhur me konstatimin e listave të kandidatëve për Këshillin e ASHAAM-it dhe Këshillit programor të RTVM-së të shqyrtohen të parët në mbledhje. Në këtë Komision shumicën e ka opozita pasi që deputeti nga BESA, parti e cila më parë ishte në anën e pushtetit tani vepron si opozitë.
Komisioni nesër do të vazhdojë rreth pikave të tjera të rendit të ditës të mbledhjes së 24-t dhe të mbledhjes së 17-të, mes të cilave edhe kush do ta marrë vendin e ish-nënkryetarit të Kuvendit, Vesel Memedit, i cili dha dorëheqje dhe në vend të tij erdhi deputetja nga Aleanca për shqiptarët.