Arsyet e vendimit të marrë pas kontrollit të kryer nga Sektori i inspektimit, lidhen me parregullsi në dokumentacion, një pjesë që nuk kanë dorëzuar vërtetim se i kanë kryer, ose informacioni nuk ka qenë i kompletuar, ndërsa do të duhet të kthejnë në xhirollogarinë e ministrisë mbi 2 milionë e 500 mijë denarë. Hetimet vazhdojnë për 11 projekte të tjera nga veprimtaria Muzikore-skenike, si edhe për 76 projekte të miratuara në muajin korrik të vitit të kaluar
Evis HALILI
Shkup, 26 maj – Ministria e Kulturës ka anuluar kontratat për realizimin e 21 projekteve të miratuara si pjesë e Programit me interes nacional të vitit të kaluar nga sferat e Muzikës, Folklorit dhe Interdisiplinares. Sipas sqarimeve të dhëna nga ky institucion, arsyet e vendimit të marrë pas kontrollit të kryer nga Sektori i inspektimit, lidhen me parregullsi në dokumentacion, një pjesë që nuk kanë dorëzuar vërtetim se i kanë kryer, ose informacioni nuk ka qenë i kompletuar. Gjithashtu, bartësit e këtyre projekteve do të duhet të kthejnë në xhirollogarinë e ministrisë mbi 2 milionë e 500 mijë denarë, në të kundërt – nuk do të kenë të drejtë që të marrin pjesë në konkurset e Ministrisë së Kulturës. Konkretisht, në veprimtarinë Muzikore – skenike, duhet të kthehen 755 mijë denarë, në Folklor mbi 1 milionë denarë, ndërsa në Interdisiplinaren – 550 mijë denarë.
“Gjithashtu, për 76 projekte nga aktivitetet e Folklorit, aktivitetit muzikor dhe skenik, si dhe projekteve ndërdisiplinore, Ministria e Kulturës do të informojë Revizionin e Shtetit, Antikorrupsionin dhe Policinë Financiare me qëllim që ato të kontrollojnë funksionimin e MK në pjesën e bazës ligjore të kontratave të lidhura dhe anekseve të kontratave më 24.7.2020”, thonë nga Ministria e Kulturës. Nën llupë gjenden po ashtu edhe 11 projekte të tjera nga veprimtaria Muzikore-skenike dhe pas përfundimit të inspektimit, do të merren masa për zgjidhjen e tyre. Nga ky institucion nuk jepen detaje lidhur me listën me emrat e individëve apo shoqatave – projektet e të cilëve janë anuluar.
“Grupet e punës janë duke punuar, kur ky proces të përfundojë, do të kemi informacione më të detajuara. Po monitorohet realizimi i marrëveshjeve të lidhura dhe nëse në raport konfirmohet që fondet e alokuara janë përdorur në kundërshtim me kontratën e lidhur, në kuptim të realizimit të tyre të paqëllimshëm, të paligjshëm dhe të pajustifikuar, Ministria e Kulturës do të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën. E gjithë procedura zhvillohet para një organi gjyqësor kompetent, për rezultatin e të cilit – MK si dhe përdoruesit kanë për detyrë të veprojnë, dhe në çdo rast, nëse përdoruesi nuk i kthen fondet e alokuara, ai nuk ka të drejtë të marrë pjesë në MK në garat në tre vitet e ardhshme”, thonë nga Ministria e Kulturës. Që nga muaji shtator i vitit të kaluar e deri në 31 janar të këtij viti, Revizioni i brendshëm pas kontrolleve të kryera pezulloi kontrata në vlerë prej 70 milionë denarë, me arsyetimin se një pjesë e projekteve të miratuara – nuk ishin realizuar, ndërsa pjesa tjetër kishte mangësi në dokumentacionin e dorëzuar.
Po ashtu, nga Raporti vjetor i Revizionit shtetëror u konfirmuan abuzimet në procedurat e miratimit dhe në bazën ligjore të projekteve të miratuara vitin e kaluar dhe një vit më parë, kur ministër i Kulturës ishte deputeti aktuale i Alternativës, Hysni Ismaili. Në raportin e publikuar një muaj më parë, ndër të tjera thuhet se “pa konkurs, apo aplikim të veçantë për manifestime kulturore dhe artistike dhe pa u përcaktuar asnjë kriter i veçantë për vlerësimin e manifestimeve, janë paguar fonde për projekte me dokumentacion të paplotë, pa një raport mbi zbatimin e projektit dhe janë paguar në shuma që tejkalojnë kufirin e lejuar ligjërisht”. Nga ana tjetër, do të zhbllokohet fondi prej afro 29.5 milionë denarë, i cili pas vendimit të Qeverisë, nuk u lejua për të likuiduar projektet e realizuara nga viti i kaluar, në fushën e folklorit, muzikës dhe skenës muzikore dhe aktivitetit ndërdisiplinor. (koha.mk)