Shkup, 4 prill – Aftësitë luftarake të “Ujqve” të armatës, të cilët me kokë thyen pllaka qeramike, si dhe performimin e pikës “Ekzecir” të Gardës së ARM-së, sot i morën të gjitha duartrokitjet në sheshin “Maqedonia” në të cilën Armata e Maqedonisë organizoi Ditë të hapur me qytetarët të titulluar “ARM-ja me ju”.
Shumë të rinj kishin mundësi të njihen me pajisjet ushtarake, siç janë autoblindat e Armatës, si dhe të informohen për profesionin ushtarak dhe konkursin publik për pranim të ushtarëve profesionistë, i cili është në vijim.
Nxënësit dhe studentët u informuan edhe për Akademinë Ushtarake, ndërsa interes të veçantë kishin për Qendrën e trajnimit të pilotëve, të cilët u prezantuan me stendat e tyre.
Në shesh morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, shefi i Shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneral nënkolonel Metodija Veliçkovski, përfaqësues të trupit ushtarako-diplomatik në Republikën e Maqedonisë dhe përfaqësues të tjerë të lartë të MM-së dhe ARM-së.
Sipas Ministrisë dhe ARM-së, kjo është mundësi e mirë që qytetarët nga afër të njihen me Armatën e tyre dhe kapacitetet e saja dhe të informohen për profesionin ushtarak dhe konkursin publik për pranimin e ushtarëve.
Prezantimi i Armatës në shesh do të zgjas deri në orën 19.