Shkup, 30 janar – Xhelil Asani kalon te skuadra e Mash’al Mubarek në Uzbekistan bën të ditur “Vipsport.al”. Sipas tyre ish-lojtari i Bylisit që gjatë pjesës së parë të sezonit ishte te Shkëndija e Tetovës, ka arritur akordin final me skuadrën ne FC Mash’al. Mbrojtësi që luan edhe si mesfushor krahu, gjatë merkatos së verës ishte në planet e Flamurtarit, por ai zgjodhi të transferohej te kuqezinjtë.
Gjatë kësaj merkatoje dimri, Asani është ndarë me mirëkuptim nga klubi tetovar dhe do të vijojë karrierën e tij në Uzbekistan. Ka qenë një ofertë e “majme” që ka joshur Asanin për të kaluar te FC Mash’al, ndërsa marrëveshja është arritur falë menaxherit Luan Kadriu. 22-vjeçari u bë i njohur tre sezone më parë kur ishte pjesë e Bylisit, ku në një moshë shumë të re arriti të bënte paraqitje shumë pozitive në Superligë.