Londër, 18 korrik – Themeluesi i Uikiliksit, Xhulian Asanzh, e ka tërhequr ankesën e tij për dënimin me burg në kohëzgjatje prej 50 javësh për shkak të shkeljes së kushteve të lirimit të përkohshëm në Britaninë e Madhe.
Përfaqësuesit e gjykatës thanë se seanca, e cila ishte planifikuar për javën e ardhshme, u anulua.
Asanzh po e vuan dënimin prej 50 javësh në Britani për shkak të shkeljes së dorëzanisë, pasi i ka kaluar shtatë vjet në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi për gjoja përdhunime.
Asanzhin e pret një seancë dëgjimore në shkurt të vitit të ardhshëm, në të cilën do të vendoset nëse do të ekstradohet në SHBA, ku ai akuzohet për një përpjekje të dyshuar për të thyer kodet qeveritare dhe për shkeljen e ligjit për spiunazh.