Ai në vazhdim nënvizoi se shoqërisë shqiptare duhet t`i kthehet demokracia, pasi që 18 vite me shqiptarët udhëheq një parti dhe sipas tij kjo është monizëm. Pikërisht për këtë, ai tha se tek shqiptarët ka munguar shpresa dhe shumë të rinj largohen nga vendi
Urim HASIPI
Gostivar, 15 korrik – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka thënë se organet e partisë do të vendosin nëse do të përkrahin protestat që i organizon vëllai i El Çekës. Thirrjen drejtuar partive opozitare Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa e ka bërë El Çeka, që këta të fundit të përkrahin protestat në të ardhmen. Sela ka thënë se nuk është marionetë e askujt dhe “Unë jam kryetar partie dhe unë jap llogari përpara organeve të partisë, kuvendit qendror. Vendimet për në protestë ne i marrim, në qoftë se është e nevojshme do i marrim si kryesi dhe si organe partiake. Nuk jam marionetë nën urdhrat e askujt, këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe askujt nuk i duhet një kryetar partie, i cili do të ishte marionetë dhe do ta koordinonte dikush tjetër, mendimet tona autonome si dhe të pavarura janë në të mirë të kthimit të demokracisë dhe lirisë të shqiptarëve këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjithçka që është e nevojshme për të vepruar në këtë drejtim, Aleanca për Shqiptarët, mos të keni pikën e dyshimit që do ta bëjë”, tha Sela.
I pyetur për situatën aktuale politike në vend, kreu i ASH-së është shprehur i zhgënjyer me reformat dhe pritshmërinë që vendi të lëvizë në drejtim të duhur. Ai ka thënë se krahas Marrëveshjes së Prespës, tashmë rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian është vënë në pikëpyetje. “Pritjet e Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut janë reformat e njëmendta dhe reformat e mirëfillta, dhe jo vetëm letra dhe ligje që pa u konkretizuar kjo me përgjegjësi direkte me njerëz dhe qytetarë që kanë keqpërdorë pozicionin zyrtarë dhe kanë punuar në kundërshtim me ligjin, prandaj pritjet tona janë që përfundimisht ky lloj presioni të vetdijësojë klasën politike dhe pushtetin dhe t’i ulet dhe t’i bëj reformat e njëmendta, dhe jo rehabilitimin e përditshëm të figurave politike nga e kaluara”, deklaroi ai.
Më tej, lideri i ASH-së ka thënë se gjyqësia në vend vazhdon të jetë etnike dhe proceset e montuara nuk kanë të ndalur. “Akoma më keq për vetë faktin që shpresuam që proceset e montuara politike një ditë do të ndërpriten, gjegjësisht gjyqësia këtu dhe ligji funksionon bazuar tek thirrjet e turmës. Jemi dëshmitarë që përsëri gjyqësia vendimet i jep në baza etnike, për krahasim e keni rastin e Sazdovskit, ku ata të rinjtë shqiptarë nga vrasja aksidentale e rikualifikuan në vrasje mizore për rezultat u dënuan me 19 vite burg, si dhe rastin e Almirit që kryesi i veprës ishte maqedonas, nga vrasje me paramendim, u rikualifikua në vrasje aksidentale për rezultat kjo është alarmi që diçka nuk shkon në sistemin gjyqësor dhe reformat duhet të jenë të thella dhe të njëmendta”, theksoi Sela.
Ai në vazhdim nënvizoi se shoqërisë shqiptare duhet t`i kthehet demokracia, pasi që 18 vite me shqiptarët udhëheq një parti dhe sipas tij kjo është monizëm. Pikërisht për këtë, ai tha se tek shqiptarët ka munguar shpresa dhe shumë të rinj largohen nga vendi. Sela këto komente i ka bërë gjatë qëndrimit të tij në hapjen solemne të Hotel Restoranit Panorama e Koritës në Gostivar, që është një investim i familjes Seferi. (koha.mk)