Shkup, 9 prill – Paralajmërimi i ministrit Filipçe për mbylljen e dhjetëra spitaleve publike shkaktoi huti dhe panik ndër pacientë e sidomos te ata që jetojnë në vendbanime të vogla. Kjo ide nuk mund të komentohet ndryshe përveç se bëhet fjalë për vazhdimësi të politikave destruktive në shëndetësinë publike që u shkaktuan nga ish ministri Todorov dhe qeveria e atëhershme, vlerësojnë nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës, transmeton gazeta KOHA.
“Nëse Maqedonia Veriore deklarohet se është shtet social dhe LSDM-ja parti e majtë atëherë privatizimi i shëndetësisë publike dhe aplikimi i partneritetit publiko privat pa analiza të thella, pa transparencë dhe pa debat publik na detyron të dyshojmë se bëhet fjalë për tentim për të shkatërruar atë që prindërit tanë e kanë financuar me dekada në llogari të pasurimit të individëve apo grupeve që profitin e kanë qëllim kryesor në llogari të shëndetit të qytetarit të zakonshëm, si psh. privatizimi parcial i hemodijalizës që rriti çmimin e seancave për trajtim që ngarkoi fondin shëndetësor duke harxhuar miliona euro që mbaruan në llogari të ideatorëve të këtij projekti të dëmshëm dhe të rrezikshëm si dhe projekti më i ri i kardiokirurgjisë pediatrike për të cilën u harxhuan shumë mjete por pa rezultate konkrete”, theksohet në reagim.
ASH, thuhet më tej në reahim, disa herë ka reaguar dhe ka kundërshtuar këtë model të partneritetit publiko privat në shëndetësi sepse spitalet nuk janë plazhe e as parkingje, por vende ku prevenohet dhe ruhet gjëja më e shenjtë, shëndeti i popullatës.
“Në anën tjetër, partneritetin publiko privat në institucionet shëndetësore publike kanë filluar ta braktisin në SHBA, por edhe në disa shtete të BE-së ku tendenca është që shërbimet shëndetësore të jenë falas për të gjitha shtresat e jo sipas thellësisë të xhepit, deklaratë kjo skandaloze nga ministri Filipçe. Aleanca për Shqiptarët kërkon që urgjentisht të ndërpritet ky projekt i rrezikshëm, të hapet debat transparent ku do marrin pjesë të gjithë subjektet e interesuara si dhe sektori joqeveritar dhe ai profesional. Poashtu kërkojmë reformë urgjente e fondit shëndetësor dhe kthimi i këtij institucioni në kuadër të Ministrisë të shëndetësisë dhe inkorporim i Pakos 10 nga Departamenti i shëndetësisë të ASH-së që sado pak të zbus emigrimin e mjekëve dhe personelit shëndetësor dhe kthimin e besimit te popullata e pambrojtur”, thonë nga ASH-ja. (koha.mk)