Federata Angleze e Futbollit nuk do të ndërmarrë asnjë veprim penalizues ndaj Mançester Sitit dhe Mançester Junajtedit pas sherrit që ndodhi në tunelin e stadiumit pas fitores 2-1 të Qytetarëve në “Old Trafford”. Arbitri Majkëll Oliver nuk ishte dëshmitar i incidentit dhe nuk ka shkruar asgjë në raportin e tij, duke lënë Federatën të investigojë sherrin, që thuhet të ketë filluar pasi trajneri i “Djajve” Hoze Murinjo iu afrua dhomës së zhveshjes së Sitit për t’u ankuar për zhurmën e madhe.
“Pas një inspektimi të fakteve të mundësuar nga klubet dhe një dëshmitari të pavarur, FA nuk do të marrë asnjë veprim penalizues”, shprehet federata nëpërmjet “Twitter”.
Klubeve u është kërkuar observimi madje duke pasur më tepër kohë se zakonisht. Pep Guardiola është shprehur se skuadra e tij nuk e ka kaluar limitin, duke festuar vetëm pasi kishte shkuar në dhomat e zhveshjes. Ndërsa, Murinjo është shprehur se disa prej lojtarëve rivalë u mungon edukata.