Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu deklaroi se Turqia deri më sot nuk i ka lënë vetëm asnjëherë vëllezërit palestinezë. “Ne Palestinën nuk do ta lëmë vetëm asnjëherë në çështjen e ndihmave humanitare, projekteve të zhvillimit, gjithashtu as edhe në çështjen e politikës”, tha Çavushoglu, i cili ishte ftuar në panelin editorial të Anadolu Agency (AA). Në lidhje me kërcënimet e SHBA-ve për ndërprerjen e ndihmave ndaj Palestinës, ministri Çavushoglu tha: “Le të themi që SHBA i ndërpreu ndihmat për Palestinën. Por, ne për çfarë jemi duke qëndruar? Shpresoj që edhe vendet e tjera muslimane të tregojnë të njëjtën ndjeshmëri. Ambasadorët e vendeve që shkuan për pushime për t’i shpëtuar presionit në votimin e Kudsit prej tani e tutje shpresoj se do të jenë më të ndjeshëm për ndihmën ndaj Kudsit, Palestinës dhe Gazës”. Shefi i diplomacisë turke është pyetur për qëndrimin e Turqisë e cila ka kundërshtuar ndërhyrjet e jashtme në protestat e nisura më 28 dhjetor 2017 dhe të cilat vazhduan për rreth një javë në Iran, ndikimin në afrimin midis Ankarasë dhe Teheranit si dhe fakti nëse do të ketë apo jo një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve. Në lidhje me këtë Çavushoglu ka thënë se mes Turqisë dhe Iranit herë pas here ka patur ndarje pikëpamjesh në disa çështje por në çështjen e Sirisë me proceset në Astana dhe Moskë është formuar një bashkëpunim mes dy vendeve.