Skuadra e drejtuar nga trajneri shqiptar Muharrem Bajrami, Makedonija Gjorçe Petrov është fituese e Kupës së Maqedonisë së Veriut për sezonin 2021/2022. Skuadra nga Shkupi në finalen e madhe mundi Sileksin nga Kratova.
Ndeshja e zhvilluar në arenën “Todor Proeski” doli të jetë një ndeshje e fortë dhe jo me aq shumë raste për gol, ndërsa në saje të një loje të tillë, e njëjta pas 90 minutave lojë u mbyll me barazim pa gola.
Gola nuk pati edhe në kohën shtesë prej 30 minutave, ashtu që fituesin duheshe ta vendosin penaltitë. Aty më me fat dhe njëherit më të saktë u treguan futbollistët e Makedonija GJ.P, që në fund triumfuan me rezultatin 4:3.
Më meritorët për këtë, pa dyshim se ishin portieri Stevkovski që ndali dy penalti të futbollistëve kundërshtarë, ndërsa golin vendimtarë për Makedonija Gj.P, e realizoi mesfushori shqiptarë, Sefer Emini.
Pas takimit trajneri Bajrami ka theksuar se ka qenë një ndeshje e vështirë, por në fund arritën atë qe e donin më shumë.
“Mendoj se me meritë kemi arritur të fitojmë trofeun e kupës. Ishte një ndeshje e vështirë ashtu si edhe e kam parashikuar. Ekipi i Sileksit u tregua kundërshtar i zoti, arriti që të mbrohet shumë mirë dhe me kundërsulme shumë herë u mundua që të na ndëshkon.
Sigurisht që për ne ndoshta nuk ishte një ndeshje e mirë e zhvilluar, por e vlerë e kësaj ndeshje ishte e madhe, dhe sigurisht që nuk mund të jesh edhe në nivelin e duhur. Dua të uroj më meritorët e këtij triumfi, futbollistët e mi që u treguan heronjë të vërtet. Për mua si trajner për momenti emocionet janë shumë të mëdha, ndoshta në moment nuk kuptuam se çfarë ndodhi. Kemi bërë një punë shumë të madhe, kemi fituar trofeun e kupës dhe do të marrim pjesë në garat evropiane. Dua të falënderoj edhe tifozët për përkrahjen”, deklaroi trajneri i Makedonija GJ.P, Muharrem Bajrami.