Gareth Bale nuk e ka në plan të bëjë asnjë lëvizje nga Real Madridi, në mënyrë që të përfitojë 66.5 milionë euro në dy vitet e ardhshme. Anësori uellsian është i inatosur me Los Blancos për faktin se nuk e lejuan të largohej drejt Kinës në verën e kaluar, kur do të përfitonte shuma të majme parash. 31-vjeçari ishte pranë një mega-transferimi te Jiangsu Suning, ku do të përfitonte më shumë se një milion euro në javë, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit nga Reali.
Ai nuk ka luajtur për ekipin e Zinedine Zidane në tetë ndeshjet e fundit, mirëpo u ka thënë miqve të tij se nuk do të largohet nga Santiago Bernabeu. “Gareth do t’i përfundojë dy vitet e ardhshme (të kontratës së tij), nëse nuk arrin ndonjë transferim që dëshiron, do ta respektojë kontratën.
Ai nuk ia ka falur Realit që nuk e ka lejuar të transferohet në Kinë. Ka karakter shumë të vendosur dhe nuk heq dorë nga të drejtat e tij. Edhe nëse kjo do të thotë se do të qëndrojë te Reali për dy vitet e ardhshme dhe nuk do të luajë asnjë ndeshje, atëherë pikërisht këtë do ta bëjë”, citon The Sun fjalët e një miku të uellsianit.
Paga vjetre e Gareth Bale mund të arrijë një total prej 33.25 milionë eurosh duke i përfshirë shtesat dhe bonuset