Nga Komuna e Tearcës thonë se me rrafshimin e dheut dhe mbetjeve të tjera në atë deponi, është realizuar pjesa e parë e projektit të përbashkët me Ministrinë e Ambientit jetësor, dhe kur do të sigurohen mjete shtesë, do të realizohen edhe fazat tjera
Urim HASIPI
Tetovë, 23 tetor – Komuna e Tearcës ditë më parë filloi punimet për nivelizimin gjegjësisht rrafshimin e një pjese të madhe të mbetjeve të forta dhe dheut në deponinë e egër që është krijuar në mes të fshatit Gllogjë dhe Dobrosht të kësaj komune, megjithatë banorët e këtij vendbanimi nuk janë të kënaqur me realizimin e punëve që janë bërë, pasi një pjesë e madhe e dheut dhe prurjeve të lumenjve që ishin sjellë nga Poroji dhe Reçica e Vogël gjatë vërshimeve të vitit 2015, nuk është rrafshuar si duhet dhe hapësira nuk është nivelizuar.
Nga Bashkësia Lokale e këtij fshati janë shprehur të pakënaqur, ndërsa akuzojnë se punimet kanë filluar pa e njoftuar fshatin.
“Komuna së bashku me Ministrinë e ambientit jetësor kanë ndërmarrë një aktivitet për të cilin në aspak nuk kemi qenë të njoftuar. Jemi njoftuar nga disa bashkëfshatarë, të cilët kishin parë eskavatorin që punonte në këtë deponi të egër këtu në mes të fshatit Dobrosht dhe Gllogjë. Nga kjo që shohim ne, nuk jemi aspak të kënaqur për shkak nuk jemi të njoftuar rreth asaj se çfarë vendimi është marrë nga Komuna e Tetovë në bashkëpunim me Ministrinë e ambientit jetësor dhe akoma nuk e dimë se çfarë ata kanë vendosur, por çfarëdo që të kishin vendosur me, rëndësi është që punën ta bëjnë si duhet. Mbeturinat nga këtu nuk janë bartur vetëm janë rrafshuar dhe sipas përfaqësuesit të firmës së kontraktuar për të realizuar punimet, ai thotë se kaq mjafton, megjithatë ne nuk jemi aspak të kënaqur”, tha Alirami Selmani, përfaqësues i Bashkësisë Lokale.
Jonuz Ademi, banor, shprehet po ashtu i pakënaqur që nuk është bërë si duhet nivelizimi dhe pastrimi i tërësishëm. “Ne nuk jemi të kënaqur me këtë punë deri tash që është bërë, pasi është dashur që në tërësi të bëhet pastrimi i këtyre mbeturinave. Një pjesë e tyre që janë mbeturina inerte është dashur të barten në ndonjë lokacion tjetër dhe të bëhet rrafshimi si duhet. Edhe një pjesë tjetër në afërsi të stadiumit që u mbush me mbeturina e të cilat u sollën nga Poroji gjatë kohës së vërshimeve, nuk është pastruar si duhet dhe tani ne kërkojmë që pjesa e stadiumit të vihet në gjendjen e më përparshme siç ka qenë”, tha Ademi.
Nga ana tjetër, nga Komuna e Tearcës thonë se me rrafshimin e dheut dhe mbetjeve të tjera në atë deponi, është realizuar pjesa e parë e projektit të përbashkët me Ministrinë e Ambientit jetësor, dhe kur do të sigurohen mjete shtesë, do të realizohen edhe fazat tjera.
“Komuna e Tearcës në Programin vjetor për menaxhimin e mbeturinave, mirëmbajtjen dhe sanimin e deponive të egra, vazhdimisht financon dhe kujdeset, mirëpo mjetet financiare nuk janë të mjaftueshme për zgjidhjen e të gjithë problemeve për një vit, prandaj këtë vit konkurruam në Ministrinë e mjedisit jetësor për sanimin dhe rrafshimin e deponisë mes fshatit Gllogjë dhe Dobrosht. Nga ky projekt, të cilin ne parapamë një investim prej diku rreth 50 mijë eurosh që të bëhet sanimi dhe mbulesa me dhe, mirëpo mjetet nuk ishin të mjaftueshme prandaj u bë vetëm rrafshimi si hap i parë, ndërsa në fazën e dytë do ta kemi parasysh edhe nivelizimin me tokë të pastërt”, tha Salajdin Zeqiri, inspektor komunal.
Përndryshe Deponia në fshatin Gllogjë të Komunës së Tearcës, është formuar nga viti 2015 e këndej me hedhjen e prurjeve të lumenjve në këtë vend që ishte i paraparë për stadium, dhe që atëherë, përveç që nuk është pastruar, e njëjta dita ditës vetëm se është mbushur edhe më shumë me mbeturina inerte ndërtimore që janë hedhur pa kontroll nga banorë të fshatrave që gravitojnë në Komunën e Tearcës.