Tiranë, 9 gusht – Lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, mohoi se në opozitën e bashkuar ka çfarëdo lloj përplasjesh dhe dallimesh për 13 tetorin, datën kur presidenti Ilir Meta i ka ri caktuar zgjedhjet lokale.
Basha bëri të ditur se 13 tetorin e pranon si ditë ligjore për zgjedhjet lokale, por se ai dhe PD-ja janë të qëndrimit se nuk do të ketë zgjedhje në vjeshtë.
Ai shtoi se janë për qeveri teknike pa Edi Ramën dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale.
“Nuk ka kurrfarë përçarje, e as keqkuptime në opozitën e bashkuar. Trembëdhjetë tetori është data e vetme kushtetuese për zgjedhje në Shqipëri. Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) duhej ta zbatojë dekretin e shefit të shtetit dhe për këtë të gjithë do ta bartin përgjegjësinë ligjore dhe penale.
Por, ne duhet të bëjmë dallim mes vendimeve partiake dhe sundimit të së drejtës. Vendimet që të merret ose jo pjesë në zgjedhje janë vendime partiake dhe ato nuk e shkelin ligjin pavarësisht se a do të vendosin që të marrin pjesë ose jo në zgjedhje”, theksoi Basha.
Këto ditë mediat shqiptare bën të dituar për përçarje të opozitës shqiptare pasi tri parti politike u paraqitën për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të caktuara me dekretin e fundit të presidentit Ilir Meta dhe mos regjistrimit të Partisë Demokratike, e cila e kryeson opozitën.
Pesë gushti ishte afati i fundit, në përputhje me dekretin e Metës, që partitë politike të regjistrohen për zgjedhjet lokale të caktuara më 13 tetor. Deri te KQZ-ja kërkesë për regjistrim në zgjedhjet kanë dorëzuar Lëvizja Socialiste për Integrim e Monika Kryemadhit, Partia Republikane e Fatmir Mediut dhe Partia Agrare e Agron Dukës.
Kërkesat as që ishin shqyrtuar, sepse në kohën e caktuar për seancë të komisionit i pranishëm ishte vetëm kryetari Klement Zguri. Katër anëtarët e tjerë, të cilët janë nga Partia Socialiste në pushtet nuk morën pjesë sepse edhe paraprakisht u deklaruan se nuk e pranojnë dekretin e Metës deh se zgjedhje ka pasur më 30 qershor.