Kryetari i Komunës, Sasha Bogdanoviç, i kontaktuar nga gazeta KOHA, mundohet ta arsyetojë mungesën e futjes së gjuhës shqipe si gjuhë zgjedhore në shtatë shkollat e territorit të Komunës Qendër. Thotë se, për gjuhën serbe, ashtu sikurse për gjuhën boshnjake, turke, vllehe dhe atë rome, ka pasur inciativa, ndërsa asnjë kërkesë nuk është dorëzuar për gjuhën shqipe
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 15 gusht – Tolerancë dhe bashkëjetesë, por pa gjuhën shqipe. Kështu e shohin Maqedoninë e Veriut disa kryetarë komunash që politikë nacionaliste bëjnë madje edhe me arsimin fillore, me fëmijët. Së fundmi, Komuna Qendër me kryetar Sasho Bogdanoviç, duke filluar nga viti shkollor 2019-2020, në shtatë shkollat fillore komunale, do të fut si lëndë zgjedhore për klasat e treta mësimin e gjuhëve të bashkësive më të vogla etnike në Republikën e Maqedonisë Veriore. Deri këtu duket mirë, por po të mos ishte anashkaluar mësimi i gjuhës së bashkësisë së dyte më të madhe në vend – gjuha shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Vendimi ishte marrë gjatë muajit maj, kur me një rekomandim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Komuna Qendër kishte bëri një studim për të shprehur interes për të mësuar vetëm gjuhën serbe në klasën e dytë në të gjitha shtatë shkollat fillore komunale, ndërsa gjithsej 153 nxënës, siç thuhet në njoftimin e Komunës, ishin përgjigjur pozitivisht. Megjithëse rekomandimi i MASH-it ishte “njohja e njëri-tjetrit” që në ditët e para të shkollës, Komuna Qendër si duket harron se bashkësia e dytë më e madhe në vend – janë pikërisht shqiptarët.
“Duke pasur parasysh që anketa e fundit është realizuar më 29.06.2019, gjegjësisht në ditën e dhënies së dëftesave, për shkak të mungesës së mundshme të disa nxënësve, ky numër pritet të rritet pasi të bëhet një sondazh shtesë për ata që kanë munguar. Në përputhje me rrethanat, pritet që në vitin shkollor 2019-2020, të ketë një deri në dy klasa të plota që do të mësojnë gjuhën serbe në mënyrë fakultative”, thuhet në njoftimin e Komunës Qendër. Anketa e radhës pritet të bëhet me fillimin e vitit shkollor, në shtator, nga kjo Komunë informojnë se do të bëhet një anketë tjetër për mësimin e gjuhëve edhe të bashkësive të tjera etnike, përkatësisht: boshnjakisht, turqisht, gjuhët vllehe dhe rome, dhe varësisht nga interesimi, këto gjuhë do të futen si lëndë zgjedhore për nxënësit e klasës së tretë.
Donë të thotë të gjitha gjuhët tjera, përveç shqipes. Futja e gjuhëve të bashkësive më të vogla etnike në Republikën e Maqedonisë si lëndë zgjedhore në shkollat fillore të territorit të Komunës Qendër, thuhet më tej në njoftim, synon të aftësojë fëmijët e një kombësie të caktuar dhe në mënyrë akademike të mësojnë gjuhën e kombësisë së cilës i përkasin, si dhe t’u jepet mundësi fëmijëve të nacionaliteteve tjera të njihen me gjuhën e shokëve të tyre të klasës. “Projekti ka për qëllim afrimin dhe bashkimin, tolerancën multietnike dhe mirëkuptimin, si dhe mësimin dhe njohjen e fëmijëve me më shumë gjuhë që nga mosha e hershme”, përfundon njoftimi, megjithëse e kundërta e gjithë kësaj veprohet në këtë rast.
Kryetari i Komunës, Sasha Bogdanoviç, i kontaktuar nga gazeta KOHA, mundohet ta arsyetojë mungesën e futjes së gjuhës shqipe si gjuhë zgjedhore në shtatë shkollat e territorit të Komunës Qendër. Thotë se, për gjuhën serbe, ashtu sikurse për gjuhën boshnjake, turke, vllehe dhe atë rome, ka pasur inciativa, ndërsa asnjë kërkesë nuk është dorëzuar për gjuhën shqipe.
“Mësimi i gjuhës dhe kulturës serbe në shkollat fillore të Komunës Qendër do të fillojë pasi këtë e kanë kërkuar prindërit nxënësve. Së fundmi, është bërë edhe kërkesë nga komunitetit vlleh, ai boshnjak, turk dhe rom. Pra, për të bërë anketë, duhet të ketë nismë qytetare apo propozim nga ndonjë organizatë. Për gjuhën shqipe dhe kulturën e saj, deri më tani nuk ka pasur asnjë interes. Nëse në periudhën që vijon ka ndonjë nismë të tillë, atëherë ne do të hapim anketë në shkollat fillore edhe për gjuhën shqipe”, thotë shkurt për gazetën KOHA, Sasha Bogdanoviç. (koha.mk)