Gostivar, 18 prill – Fshesa e Arben Taravarit në institucionet e themeluara nga Komuna e Gostivarit ka vijuar edhe në Ndërmarrjen Publike Komunale “Komunalec”. Së fundmi, nga kjo ndërmarrje janë larguar pesë kuadro profesionale me shkollim universitar.
Largimet vijnë në kohën kur opinioni i gjerë publik u njoftua që Arben Taravari ka angazhuar në punë me kontratë në vepër persona prej jashtë Gostivarit, të cilët marrin rroga të majme madje mbi 25 mijë denarë në muaj.
Bëhet fjalë për më tepër persona që kanë lidhje farefisnore dhe partiake që marrin rroga nga Taravari dhe qëndrojnë në shtëpi. Rast eklatant ishte angazhimi i aktores nga Tirana, Olsa Poshka e cila sistemohet në vend jo adekuat dhe merr rrogë pa shkuar në punë.
Edhe pas denoncimit publik nga media të vendit, Arben Taravari vazhdon t’i mbajë në punë këto persona që paguhen nga mjetet e taksapaguesve gostivaras. Ndërkohë, largon nga puna kuadro me përvojë të gjatë profesionale në këtë ndërmarrje. Bëhet fjalë për eskpertë që me vite të tëra kanë dhënë kontributin e tyre në punën dhe zhvillimin e Ndërmarrjes Publike Komunale. Është Fatmira Neziri (inxhinier), Bilal Sulejmani (jurist), Burim Ramadani (ekonomist), Andin Lahu (inxhinier) dhe Arben Zulbeari (ekonomist), që me urdhër të Arben Taravarit kanë humbur vendin e punës dhe në vend të tyre bëhen punësime fiktive.
Ftojmë Arben Taravarin të ndalojë aventurën politike dhe të mos merret me presione, revanshizëm dhe hakmarrje politike. Këto veprime që i takojnë të kaluarës politike, nuk i shërbejnë të tashmes dhe të ardhmes së shoqërisë gostivarase. Sa më pak të merret me fate të njerëzve, aq më tepër kohë do të ketë për të punuar në dobi të qytetarëve të Gostivarit, gjë që edhe pas 6 muajsh ende nuk mund ta shohim. Me buxhet të miratuar me vlerë të propozuar nga ana e tij, qytetarët presin të shohin realizimin e projekteve që ende vazhdojnë të mbeten vetëm fjalë.