Kushtetuta duhet të respektohet gjatë formimit të qeverisë së re kosovare, deklaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, pasi që lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk do të ketë ministra nga Lista serbe në qeverinë që do ta kryesojë.
Para bisedimeve për formimin e qeverisë së re kosovare, e cila sipas të gjitha gjasave do të formohet nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, ajo për “Gazetaexpress” tha se BE-ja pret të formohet qeveri e re menjëherë sapo të përfundojnë procedurat.
“Kjo është me rëndësi në mënyrë që Kosova shpejtë të vazhdojë të punojë në reformat për mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe në sundimin e së drejtës, në zbatimin e Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim BE-Kosovë dhe në dialogun me Serbinë që do ta udhëheqë BE-ja”, deklaroi Kocijançiq.
Sipas saj, BE-ja pret që të gjithë faktorët politik të jenë të përkushtuar në këto procese, të cilat janë “thelbësore për të ardhmen e Kosovës, si dhe ta avancojnë rrugën evropiane që është më me rëndësi, në dobi të qytetarëve të Kosovës të tërë rajonit”.