Për ish-kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, kreut aktual që qeverisë, Edi Rama, duhet t’i ndalohet ndërhyrja në punët e brendshme të Prishtinës, sa i takon dialogut me Beogradin. Këtë ai e ka theksuar përmes një publikimi në median sociale Facebook, ku fillimisht ka përshëndetur rezolutën e Parlamentit Evropian për Kosovën, në të cilën, sipas Berishës, në çdo paragraf, del e qartë përgjegjësia e plotë e Serbisë në të gjitha zhvillimet konfliktuale në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, në përpjekjet e saj konstante për destabilizimin e Kosovës, në qëndrimet e saj, të cilat fund e krye orientohen drejt mbajtjes së shtetit serb në Kosovë. “Mbështes plotësisht këtë rezolutë dhe e konsideroj një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm, zbatimi i kërkesave të të cilit, vërtet hap rrugën për normalizim apo ecje drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, theksoi lideri aktual i grupimit më të madh brenda opozitës.
Ndër të tjera, ai shtoi se rezoluta me qartësi të kristaltë, kërkon hetimin e lidhjeve të Serbisë me grupin terrorist të armatosur, të stërvitur në territorin e saj, dhe të dërguar në Kosovë. Akt ky që për Berishën, u parapri nga një seri aktesh të tjera dhune, të nxitur nga falanga serbe, bojkote të udhëhequra nga Lista Serbe, një parti terroriste e inkriminuar në të gjitha segmentet e saj. “Do më falni, por tmerrësisht simotër me partinë e Vuçiçit dhe partinë e Edi Ramës. Sepse asnjë normë demokratike ajo nuk lejoi”, hedh argumentin e tij Berisha. “Udhëhiqet nga ekstremistë dhe terroristë si Radoiçiç, mban lidhje të tmerrshme me bandat dhe krimin njësoj si partia e Vuçiçit dhe partia e Edi Ramës”.
Mbi premisa, ai tha se Partia Demokratike do të angazhohet të punojë me PE-në dhe Asamble të tjera Parlamentare, për dënimin e qëndrimeve destabilizuese të Ramës, në atë çfarë pretendohet të jetë mbështetje për politikat destabilizuese të Vuçiç dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës.