Rezultatet e studimeve të reja mjekësore që janë bërë në Kinë kanë treguar se birra është e mirë për shëndetin e zorrëve, nëse konsumohet në mënyrë të kontrollueshme. Ajo ka rezultuar më e mirë se probiotikët. Ky është një zbulim që bie në kundërshtim me bindjen e zakonshme se nga pirja e birrës nuk ka përfitime të vërteta shëndetësore, shkruan Earth. Rezultatet kanë treguar se bakteret e pranishme në birrë ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të zorrëve dhe sistemit imunitar.
“Birra është e pasur me shumë aminoacide, vitamina dhe substanca bioaktive që janë të përfshira në rregullimin e shumë funksioneve fiziologjike të njeriut. Kur birra konsumohet në masë të kontrollueshme, fenolët dhe lëndët e tjera ushqyese që ajo përmban fermentohen nga mikrobet që gjenden në shtresën e jashtme mukoze të zorrës. Te joduhanpirësit e shëndetshëm, birra përmirëson në mënyrë akute parametrat e funksionit dhe strukturës arteriale”, thuhet në studim.
Për më tepër, studimi nxjerr në pah efektet pozitive të birrës në parandalimin e kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe rregullimin e metabolizmit. Studimet e mëparshme kanë sugjeruar se bakteret e birrës mund të parandalojnë sëmundjet e zemrës dhe të përmirësojnë qarkullimin e gjakut. Një eksperiment ka treguar se atletët që pinin birrë kishin më pak rrezik të prekeshin nga sëmundjet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.
Sipas studimit birra ka efekte antioksiduese dhe kundër plakjes. Në studim gjithashtu thuhet se birra e pasur më vitaminë B është e mirë edhe për shëndetin e zemrës, densitetin e eshtrave e redukton rrezikun nga diabeti.