120 milionë euro, plus 40 si bonus. Ky është çmimi që Barcelona ka paguar pak ditë më parë për Filip Kutinjo. Ky janar ka qenë i pazakontë në Evropë: 80 milionë në Sautempton. Kjo është shuma që Liverpuli ka paguar për të siguruar shërbimet e Virgil van Dijk, i cili është bërë dhe mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Por, ndërsa në Spanjë dhe Angli vazhdojnë akoma fishekzjarrët, në Itali qielli është i pastër. Aty jetojnë me kujtimet. Më poshtë janë renditur blerjet më të shtrenjtë të historisë së merkaton së dimrit në Serinë A.
SIDORF – Holandezi ka qenë protagonisti i operacionit më të shtrenjtë në merkaton e dimrit italian. Marçello Lippi e ka marrë në telefon, teksa ai ishte me pushime për të festuar ardhjen e mijëvjeçarit të ri. “Do të luash mbrapa krahëve të Vierit dhe Ronaldos”. Përgjigja: “Për pesë minuta jam gati”. Ka zbarkuar në Milano për 50 miliardë lireta (25 milionë euro) dhe ka luajtur me zikaltrit për dy sezone e gjysmë. Në verën e 2002-it është shitur te Milani i Karlo Ançelotit.
ADRIANO – Në vendin e dytë është një tjetër ish-lojtar i Interit. “Perandori” është kthyer në 2004-ën në Milano për 23 milionë euro, pas dy viteve të kaluar mes Firences dhe Parmës. “Jam i lumtur që u ktheva në shtëpi. Me Interin do të kem mundësinë të bëhem një lojtar i madh”. Me zikaltrit fitoi tre kampionate, tri superkupa dhe dy kupa, por braziliani mund të ishte bërë akoma më i madh. “E kemi pritur si një vëlla dhe e kemi mbrojtur. Unë dhe Kordoba kalonim mbrëmjet duke i thënë se mund të bëhej më i madhi. Kemi dështuar, nuk kemi arritur ta shkëpusim nga depresioni”, ka kujtuar Havier Zanetti. Një koncept që është mbështetur edhe nga Ibrahimoviç: “Kam luajtur me më të mirët, por asnjë si Adriano”.
NAKATA – 35 miliardë (18 milionë euro) dhe vendi i tretë i podiumit për Hidetoshi Nakata. Firma në çekun e prerë ka qenë e Franko Sensiit, ish-presidenti i Romas në dimrin e vitit 2000. 18 ndeshjet dhe 3 golat e realizuar në gjysmën e dytë të sezonit i kanë siguruar një vend në atë pasardhës. Që ka qenë i veçantë. Më 6 majin e 2001-it, në Torino, është luajtur sfida për titull dhe Nakata ka ngushtuar diferencat në 2-1 në minutën e 80-të dhe në minutën e 91-të ka lëshuar një tjetër predhë drejt portës, me Va nder Sar që nuk ka arritur ta ndalë topin që ka përfunduar në këmbët e Montellas, i cili ka fiksuar shifrat në 2-2. Në qershor Roma është shpallur kampione e Italisë për herën e tretë në histori.
BALOTELLI – Mesditën e 30 janarit Balotelli ka zbarkuar në Malpensa dhe është bërë një lojtar i ri i Milanit. Siti ka marrë 23 milionë euro. Fillimi ka qenë shumë mirë: dy gola në debutim kundër Udinezes, gol kundër Kaljarit dhe Parmas. Në fund të sezonit ndeshjet kanë qenë 13 dhe golat 12, që kanë ndihmuar kuqezinjtë të arrijnë vendin e tretë në renditje dhe kualifikimin në “Champions League”.
RANOKIA – Vendi i pestë i renditjes mbahet nga qendërmbrojtësi zikaltër, i blerë për 18,5 milionë euro në dimrin e 2011-ës nga milanezët. Ranokia është transferuar te një skuadër e mbushur me kampionë dhe që vinte nga “tripleta” e 2010-ës. Menjëherë titullar, në kampionat dhe “Champions”. Ka rezistuar gjashtë muajt e parë, më pas ka humbur në periudhën e errët të Interit, duke mos arritur të gjejë vazhdimësi në paraqitjet e tij.