Me rastin e Ditës së përkujtimit të të gjitha viktimave të armëve kimike, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së Zhozep Borrell, tha sot se askush nuk guxon të përdorë armë kimike, askund, kurrë dhe nën asnjë rrethanë.
Para 25 vitesh, Konventa për armë kimike hyri në fuqi me qëllim që gjithmonë t’i jepet fund dhe të eliminohen armët kimike.
Nga viti 1997, mbi 99 për qind e rezervave të regjistruara të armëve kimike është konfirmuar të shkatërohen. Megjithatë, armët kimike mbesin një nga kërcënimet më serioze për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Pavarësisht progresit që kemi bërë, ne jemi ende dëshmitarë të pasojave të tmerrshme të kësaj arme të tmerrshme. Në Siri shkaktoi qindra viktima, përfshirë fëmijë. Në gusht të vitit 2020, agjensi ushtarak Noviçok u përdor në një përpjekje për të vrarë politikanin opozitar rus Aleksej Navalni. Armët kimike u përdorën gjithashtu në Malajzi në vitin 2017 për të vrarë gjysmëvëllain e Kim Jeung-On, Kim Jeung-Nam, ndërsa në Britani të Madhe në vitin 2018 në tentativën për sulm ndaj Sergej dhe Julia Skripal, që rezultoi në vdekjen e një shtetasi britanik”, tha Borrell.
BE-ja kujton gjithashtu “se përdorimi i armëve kimike është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe mund të përbëjë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
“Ata që janë përgjegjës duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi”. Ne do të vazhdojmë të luftojmë kundër mosndëshkimit dhe të punojmë drejt përgjegjësisë së plotë për përgjegjësit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, thonë nga BE-ja.
Si pjesë e regjimit të masave kufizuese kushtuar luftimit të përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike dhe pararendësve të tyre, BE-ja vendosi masa kufizuese ndaj Rusisë në lidhje me sulmin në Solsburi të vitit 2018 dhe helmimin e Navalnit në vitin 2020.
Sa i përket Sirisë, BE-ja ka vendosur masa kufizuese ndaj atyre që janë përgjegjës për zhvillimin dhe përdorimin e armëve kimike, veçanërisht për tre sulme në vitet 2013, 2017 dhe 2018.