Në vitin 2020 u vu re rritja më e madhe e borxhit publik, duke arritur në pothuajse 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. 2021 dhe 2023 ishin vitet që i mbyllëm me një borxh publik më të lartë se kufiri psikologjik prej 60%. Në tremujorin e dytë të këtij viti, kufiri u tejkalua sërish dhe ishte 60.5%
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 nëntor – Borxhet e pashlyera apo të “fshehta” të ndërmarrjeve publike të themeluara nga shteti, komunat, dhe shoqëritë tregtare që janë në pronësi të plotë ose dominuese të shteti, do të rrisin borxhin publik në mbi 70 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një shifër kjo brengosëse për ekonominë vendore. Paraprakisht, pandemia e Kovidit dhe lufta në Ukrainë kanë ndryshuar pamjen e financave publike në vend. Në vitin 2020 u vu re rritja më e madhe e borxhit publik, duke arritur në pothuajse 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. 2021 dhe 2023 ishin vitet që i mbyllëm me një borxh publik më të lartë se kufiri psikologjik prej 60%. Në tremujorin e dytë të vitit kufiri u tejkalua sërish dhe ishte 60.5%.
Revizioni i shtetit konstatoi dobësi në masat për përballimin e borxhit publik dhe në auditimin e fundit i rekomandoi Ministrisë së Financave të vendoset një kufi përmes ndryshimeve zëvendësuese dhe që borxhi të parashikohet për dy vitet e ardhshme fiskale në mënyrë që shteti të ketë parashikueshmëri më të madhe fiskale. Për shkak të nivelit jashtëzakonisht të lartë të arritur të borxhit publik, auditorët paralajmërojnë që t’i kushtohet vëmendje menaxhimit të financave publike. Sipas revizorëve, në periudhën 2025-2028, eurobonot e emetuara do të jenë të detyrueshme për pagesë, gjë që mund të krijojë presion shtesë në thesarin e shtetit.
Për të përmirësuar dhe avancuar procesin e shërbimit të borxhit publik, Revizioni rekomandoi disa masa që përfshijnë analizën e kuadrit institucional për menaxhimin e borxhit publik për uljen e rrezikut operacional, paraqitjen e saktë të nevojave financiare në Buxhet, aplikimin e analizës së qëndrueshmërisë së borxhit gjatë krijimit të politikës fiskale, duke përcaktuar një metodologji të qartë për llogaritjen dhe analizën e borxhit për paraqitjen e detyrimeve afatgjata dhe afatshkurtra të interesit, thuhet në raport.
Huaja hungareze prej 1 miliardë euro në mënyrë të pashmangshme do të ndikojë në borxhin publik, por për ekspertët, është shumë më e rëndësishme se për çfarë do të shpenzohen paratë nga kreditë.
“Për momentin, sipas të dhënave që disponon publikisht Ministria e Financave, borxhi i shtetit është 49.3 për qind. Nëse kësaj i shtojmë edhe borxhet e ndërmarrjeve publike, totali i borxhit publik në muajin shtator është 56.9 për qind. Por nëse shikojmë Strategjinë fiskale, tashmë në fund të vitit do të arrijmë një borxh publik mbi 60 për qind. Këtu kemi edhe korrigjime të caktuara që vijnë nga Enti Shtetëror i Statistikave dhe që tregojnë se ndoshta – projeksioni në Strategjinë fiskale është më i lartë në raport me atë që mund të presim realisht për realizimin e borxhit publik, që është një lajm pozitiv. Por megjithatë, situata aktuale është se, nëse këtij borxhi i shtojmë edhe detyrimet e papaguara, ka mundësi që në fund të vitit të përfundojmë me një borxh publik total mbi 70 për qind, që është një normë jashtëzakonisht e lartë dhe kjo duhet të na shqetësojë tani”, thekson Blagica Petreski nga Fajnens Think.
Në ndërkohë, shuma e borxhit publik në fund të vitit do të jetë 62.7% e PBB-së. Këtë e kanë treguar përllogaritjet e Ministrisë së Financave. Shifra përfundimtare, megjithatë varet nga sa do të tërhiqen institucionet e tjera dhe shoqëritë aksionare nga kreditë e kontraktuara, thotë ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska. Lidhur me aktivitete e këtij dikasteri për shumën e borxhit publik, Dimitrieska-Koçoska shton se tashmë po punohet që të shihen se cilat janë obligimet e të gjitha institucioneve.
Me fjalë tjera, tashmë po punohet fillimisht për të parë se cilat janë obligimet e të gjitha institucioneve. “Ka pasur një konkluzion nga Qeveria, ku secila nga institucionet, duhet të paraqesë informacion për shumën e obligimeve. Aty ku kemi mospërputhje, do t’i kthejmë sërish institucioneve për ti harmonizuar dhe raportuar detyrimet. Revizioni do ta tregojë këtë gjendje. Si ministre e Financave kam formuar disa revizione të jashtëzakonshme në disa institucione, të cilat duhet të më konfirmojë si audit i brendshëm se detyrimet që raportohen – janë vërteta për shkak se nga komentet e dhëna nga punonjësit atje, ato nuk janë të njëjta. Andaj këtë do të përcaktojnë auditorët dhe në bazë të kësaj do të shohim se cilat janë detyrimet”, tha Dimitrievska-Koçovska. Nga Ministria e Financave thonë se vetëm harxhimet që sjellin kthimin e investimit për shtetin janë të mirëseardhura.
“Projekti Shkup 2014 ishte i panevojshëm”, ka pranuar ministrja Dimitrieska-Koçovska. 10 vite më parë VMRO-DMPNE, e udhëhequr nga lideri i atëhershëm Nikolla Grueski, kishte shpenzuar qindra milionë euro për monumente dhe fasada. Sipas ministres së Financave, vendi duhet të investojë në projekte kapitale, edhe nëse çmimi e tejkalon kufirin ligjor të borxhit publik, por ato projekte duhet të kenë ndonjë fitim.
“Në ekonomi ka rregulla se kur duhet shpenzuar dhe kur duhet kursyer, por asnjë Qeveri deri më tani nuk i ka respektuar, por është shpenzuar vazhdimisht dhe në mënyrë të shtrirë, pa bërë reforma të rëndësishme, sqarojnë ekspertët e ekonomisë. Institucionet shtetërore që nuk kuptojnë financat janë problem serioz”, thotë ministrja Dimitrieska-Koçovska. Shumë prej tyre, vijon më tej ajo, nuk i regjistrojnë me saktësi të gjitha pagesat dhe shpenzimet. “Në sektorin social një person ka marrë ndihmë sociale nga programe të ndryshme deri në 1000 euro fantastike dhe njëkohësisht kompanive ju mungon fuqi punëtore, të cilën e importojnë nga jashtë”.
Ministrja beson se stabilizimi i borxhit publik pritet në vitet e ardhshme, duke e ulur atë në kufirin psikologjik prej 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa ka informuar se Ministria e Financave po përgatit Strategjinë e re fiskale për periudhën 2025-2029, e cila tashmë ka kaluar filtrin e Qeverisë.
Për të reduktuar rrezikun e shumës së garancive të lëshuara, përcaktohet një kufi i garancive të lëshuara dhe theksi vihet në projekte që janë të vetëqëndrueshme dhe gjenerojnë të ardhura, mbështesin rritjen ekonomike dhe mundësojnë konkurrencë më të madhe të ekonomisë vendase në suaza afatmesme. Njëherësh, Qeveria ka plan konsolidimin e financave publike, ashtu edhe për uljen e minusit në arkën e shtetit apo dallimit midis të hyrave dhe të dalave në buxhet. “Përskaj nivelit të lartë të shpenzimeve kapitale, do të vazhdohet mbështetja e ekonomisë me investime në projekte infrastrukturore, si dhe do të forcohet llogaridhënia. Në të ardhmen prioritet do të jetë lufta kundër ekonomisë gri dhe rritja e arkëtimit e të ardhurave buxhetore”, thuhet mes tjerash në Strategjinë e re fiskale.
Sfidë në të ardhmen për ekzekutivin do të jetë rritja e të ardhurave apo të hyrave në buxhet dhe ndryshimi eventual i politikës tatimore, ku bizneset e mëdha do të paguanin më shumë tatime. Sipas teorisë ekonomike, borxhi publik mund të reduktohet në tre mënyra: përmes shkurtimit të shpenzimeve, nëpërmjet rritjes më të lartë ekonomike, si dhe rritjes së të ardhurave. Gjithashtu sfidë për vendin mbetet edhe rritja e eksportit me prodhime dhe shërbime të vlerës së shtuar, qoftë në industri, teknologji informatike e kështu me radhë. (koha.mk)