Boston Seltik nuk arrin ta marrë veten pas dëmtimit horror të Hajvard në kavilje duke pësuar humbjen e dytë rresht në sezonin e ri të NBA. Skuadra nga Massaçusetts pësoi disfatën e dytë në po kaq ditë nga Milvoki Baks me rezultatin 100-108. Nëse në debutim ishte Xhejms që shkatërroi skuadrën më të titulluar të Amerikës, këtë herë ishte greku Giannis Antetokounmpo i cili mori për dore ekipin nga Viskonsin me 37 pikë dhe 13 kërcime. Një ndeshje pa shumë histori për Boston që pësoi gjithashtu 15 pikë nga Dellavedova, ndërsa në kampin e Seltiks nuk mjaftuan 35 pikët e Kyri Irving dhe Xhajlen Broun. Pritej me kureshtje edhe debutimi i Filadelfias por pavarësisht ndryshimeve të mëdha në organikë “76” nuk i bënë ballë Uashington që dominoi 120-115. Dyshja Vall-Beal bëri gjithçka mirë duke udhëhequr Vizards drejt suksesit të parë. Asnjë problem për San Antonio Spars që edhe pse pa Kahvi Leonard, ia beson gazin LaMarkus Aldridge për të larë llogaritë me Minnesota Timbervolves 107-99. Ish qendra e Portland e mbylli mbrëmjen me 25 pikë dhe 10 ribaunde, ndërsa për “Ujqërit” i përhershmi Karl-Entony Touns e mbylli mbrëmjen me 18 pikë dhe 13 kërcime.
Nuk di të ndalet një tjetër skuadër teksane. Hjuston Rokets që këtë sezon kërkon titullin, vetëm pak orë pas suksesit ndaj kampionëve të Golden Stejt, dominoi edhe Sakramento Kings 105-100. Edhe nëse në parket nuk është Kris Pol, Xhejms Harden arrin të bëjë diferencën. Mjekroshi i raketave u shfaq sërish protagonist me 27 pikë dhe 9 asistime.
Portland tronditin në debutim Feniks Sans 124-76. Damian Lillard nuk hasi aspak vështirësi ndaj miqve nga Foeniks duke shënuar 27 pikë, ndërsa Pat Konnaugton rezultoi surpriza e mbrëmjes me 24 pikë. Në ndeshjet e tjera, Atlanta kaloi Dallas 117-111, Juta fitoi në Denver 106-96, Memfis triumfoi ndaj Nju Orleans 103-91 ndërsa derbin e Floridas e fitoi Orlando që kaloi Majami 116-109.