Bota do të mund ti vë themelet e një shoqërie të hapur për nesër. Prandaj liderët botëror që menaxhojnë me zhvillimet botërore kanë nevojë për edukim bashkëkohor dhe edukator të aftë e të sinqertë, dashamirës të paqes e progresit. Sepse, edukata ka gjithçka madhështore në trajtimin e pritjen e së ardhmes
Nga Xheladin MURATI
Edukata është fenomen universal që i ka rrënjët nga e shkuara, që mund të arrijë sukses vetëm me një betejë të madhe arsimore, ligjore dhe kulturore. Dhe secili komb ka edukatën e tij kombëtare. Vetë universaliteti i edukatës e shton nevojën e botës për të. Ajo ka për obligim të dal nga rrethi kombëtar dhe të provon të hap shteg, të hap rrugë për të gjithë ata që atë e konsiderojnë si faktor kohezioni, si faktor paqeje e bashkëpunimi, si faktor zhvillimi e vetëdijesimi. Shoqëria dhe edukata janë në një lidhje të pandashme.
A mund të jetë njerëzimi i lumtur në këtë botë kur paqja dhe stabiliteti janë nën sulm, në krizë permanente?Nuk është aq e lehtë. Por ndihma nuk mungon. Edukata dhe sugjerimet e saj ndihmojnë bota të jetë e lumtur, paqësore dhe prosperuese.
PREMISAT
- Nëse poezia ndihmon për të pare botën, edukata kontribuon për ta ndërtuar atë mbi baza vetëdijesimi, lirie e përparimi.
- Edukata shërben në kërkim të propozimeve të mirëqenies jo të prodhimit të zhurmës.
- Fuqizimi i edukatës shërben si element konstruktiv drejt zhvillimit të njerëzimit në botën e qytetëruar.
- Bota ka nevojë për edukator të mirë, të cilët e duan ardhmërinë, paqen e lirinë e njerëzimit.
- Qasje dhe aspekte
Në situatën në të cilën gjendet Bota, sot në një gjendje pasigurie, gatishmëri konfliktesh, konflikte katastrofike në pjesë të ndryshme të saj, edukata fiton në peshën e saj. Për fat të keq, edukatorët nuk i dëgjon kush, madje as politikanët e edukuar. Sepse botës i mungon arsyeja kurse liderëve të saj “utopia” reale në politikë.
Edukatori është njeri i gëzimit, i sfidave pozitive, i dashurisë së mirëqenies, i vetëdijesimit se Botës i duhen njerëz vigjilent, të aftë, kreativ e paqësor, njerëz të lire. Më pëlqen një thënie e Albert Kamysë dhe po e citoj: “E vetmja mënyrë për t’u ballafaquar me këtë botë në të cilën mungon liria është që të bëhesh në mënyrë absolute aq i lirë sa që vet ekzistenca jote të jetë një akt i rebelimit”.
Mrekullia më e madhe për botën është liria e saj. Kjo duhet të jetë në funksion të vet-reflektimit të çdo pjese të saj për të marrë përgjegjësinë e duhur për të përmbushur vullnetin dhe dëshirën për arritje të mëdha në ndërtimin e botës moderne. Kjo arrihet nëpërmes edukatës së mirëfilltë.
Bota ka nevojë për edukatë, është një ide, e cila po zhvillohet çdo ditë dhe që ka rregulla dinamike, të cilat fokusohen nga nevojat dhe dinamika e saj në të cilën jeton njerëzimi sot. Edukata duhet të bëhet promotor për liri, demokraci dhe rezistencë paqësore në botë. Duhe nëpërmes saj të zhvillohet vullneti, besimi dhe shpresa për pajtim mes popujve duke promovuar trajtimin e barabartë të njeriut në çdo cep të botës. Në këtë kontekst unë i them botës nëse i mbyllin sytë dhe hesht, ajo duhet të jetë e vetëdijshme për përgjegjësinë që ka nëse ndodh e keqja. S’ka edukatë me cenim të lirisë, edukata kërkon trajtim njerëzor të botës e të njeriut.
Edukata nuk është thjesht një fenomen, është një mënyrë për t’i parë e ndryshuar gjërat, edukata rigjenerohet gjithmonë në jetën e njeriut, ajo është veprimtari me shikim të kthyer nga Bota. Bota duhet të jetë vend ku natyrshëm dominon toleranca ndaj mendimit e sjelljes ndryshe. Pikat apo roli i edukatës mund të vlerësohet nga shumë pamje: nga funksioni dhe misioni i edukatës nëpër institucione, nga mënyra dhe mekanizmat e realizimit të veprimtarisë edukative, nga sferat e jetës shoqërore ku vepron, nga roli që luan secili shtet në botë në zhvillimin e saj, raportet që krijojnë me shtetet mes vete, marrëdhëniet që krijohen mes kombeve e njerëzimit në të mire të paqes e stabilitetit. Edukata dallohet nga sferat e tjera nga fakti se ajo afron, nuk ngre barriera, ajo hap perspektive për bashkëpunim dhe eliminim të ndasive, ajo ofron kulture sjelljeje e komunikimi, motive, vlera që njerëzimi dhe bota të shikon përpara.
Ndryshimi i gjendjes faktike, asaj të jetës tone, të Botës kërkon angazhim të pakontestueshëm edukativ për të ndryshuar dhe përmirësuar gjërat. Bota ka nevojë për një histori të fuqishme për forcën e miqësisë dhe jo pafajësinë. Bota ka nevojë për lider pacifist e të edukuar. Bota ka nevojë për lider me sakrifica për paqe dhe mirëqenie. Fuqizimi dhe implementimi i vazhdueshëm i parimeve të edukatës, rolit të saj në afirmimin e vlerave mund të shërbej si element konstruktiv drejt eliminimit të kundërshtive. Edukata me programet e saj pragmatike mund të kontribuoj dukshëm për barazinë, rolin e shoqërisë, avancimin e barazisë, krijimin e demokracisë të mirëfilltë.
Realisht, sot, edukata ka vizione përparimtare, por ajo nuk ka force të sanksionon veprimet destruktive, ajo nuk ka forcë legjislacioni. Mirëpo edhe de jure edhe de facto, edukata synon zhvillim dhe integrim të pikëpamjeve, ajo bën vetëdijesimin e njeriut, duke e mbrojtur atë nga shkatërrimi. Dhe ajo duhet të jetë edukatë kosmopolite ku e mira do të jetë e mirë në çdo cep të saj, njerëzorja do të jetë njerëzore në çdo vend të botës pa dallim ngjyre, gjuhe e feje, ku mizorja do të jetë vetëm emër kuptimi e jo realitet i përditshëm. Pra edukata të perceptohet si një sine qua non dhe reflektimet e saj të kenë një impakt substancial njerëzor e human… Edukata, duke qenë një fenomen edhe kulturor përmban në vete qenien e njerëzimit e të shoqërisë, ajo ngren idenë se Bota funksionon mbi vlerat dhe parimet e edukatës. Pikërisht në këtë kontekst është e pamundur Bota të konsolidohet pa edukatë të mirë dhe edukatë të mirëfilltë.
Bota po përballet me probleme të shumta, ndër të cilat ajo ngulfatet nga politika folkloriste dhe nga politika etno-nacionaliste. Të dyja këto përdoren për qëllime të caktuara. Bota ka nevojë për edukatë liberale të maksimizuar me demokraci kundër qasjeve konservative, reduktive, suprimuese dhe negative. Ekzistenca dhe mbijetesa e saj nuk duhet të jetë e dyshimtë. Prandaj edukata dhe vlerat e saj janë në funksion të zhvillimit. Në fakt, vlerat e edukatës reflektojnë në aspektet logjistike, edukata është në funksion dhe shërbim të konkurrencës zhvillimore e të paqes. Thjesht, të zvogëlohet numri I armiqve për demokraci dhe të luftohet për projektin e paqes përmes edukimit.
Bota, në fakt, personalitetet politike,ngjarjet dhe kulturat e veçanërisht liderët botëror nuk po bëjnë aq sa duhet për të ndryshuar këtë mentalitet, nuk kanë arritur ti shpëtojnë mendimit egoist. Prandaj Botës i nevojitet më tepër angazhim për të mirën e njerëzimit dhe për të ndryshuar mendimin në kahe pozitive. Këtu vlen mendimi i shkrimtarit franko-libanez Amin Maalouf “më mire të gabosh me shpresë, sesa të kesh të drejtë me dëshpërim”.
Rritja e ndërgjegjësimit për edukatën si faktor paqeje dhe bashkëpunimi vë në pah edhe rëndësinë e të mësuarit mbi misionin, funksionin dhe vlerat e edukatës si një sistem dominues i brendësuar në nivelin Botëror. Në këtë kontekst edukata duhet trajtuar me standard dhe vlera të vëna nga burrat botëror, ajo nëse mbetet minore përbën një kërcënim të rrezikshëm. Botën e rëndojnë shumë problem sigurie e paqeje. Përkundër avancimeve teknike, ekonomike megjithatë më shumë reforma thelbësore duhet bërë në edukim dhe arsimim sepse edukata kontribuon dhe reflekton në ndryshimin e mentalitetit dhe të sjelljes, ndikon në ngritjen e vetëdijes demokratike dhe jo autokratike.
Çdo profesion dhe çdo kontribut që jep për edukatën është i veçantë dhe Bota ka nevojë për një koncept të gjerë të edukatës në nivel global. Aktualisht UNESCO, organizata e KB për arsim, shkencë dhe kulturë ka dhënë kontribut të merituar në këtë drejtim. Por asaj i takon në nivel botëror të formoj një ekip ekspertësh, dizajnerësh dhe strategësh të edukatës për të hartuar një dokument strategjik me titullin “Bota ka nevojë për më shumë edukatë”.
PËRFUNDIM
Mendoj se Bota do të mund ti vë themelet e një shoqërie të hapur për nesër. Prandaj liderët botëror që menaxhojnë me zhvillimet botërore kanë nevojë për edukim bashkëkohor dhe edukator të aftë e të sinqertë, dashamirës të paqes e progresit. Sepse, edukata ka gjithçka madhështore në trajtimin e pritjen e së ardhmes. Edhe pse bota është shpresë për të ardhme më të mire, këtu parashtroj pyetjen? Kur Bota nuk do të ketë frikë nga shkatërrimi dhe e ardhmja? (koha.mk)