Barcelona tashmë është duke punuar për nënshkrimet e merkatos së dimrit. Udhëtimi i Robert Fernandez dhe Urbano Ortega në Gjermani i përgjigjet pikërisht interesimit të klubit katalanas për përforcime. Dy anëtarët e sekretariatit teknik kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në ndeshjen Leverkusen -Volfsburg dhe mbajtën shënim për njërin prej lojtarëve që shfaqet në listën e objektivave të Barcelonës në muajin janar, të talentuarin Julian Brandt, mesfushorin 21-vjeçar të ngritur në karrierë te Volfsburgu dhe i transferuar te Leverkusen për 350.000 euro, tre vjet e gjysmë më parë, falë insistimit të Rudi Feler. Ndërkombëtari i Gjermanisë (nuk luajti në “Euro 2016”, por u shpall kampioni i verës në Kupën e Konfederatave) ka një klauzolë daljeje thuajse prej 40 milionë eurosh.
Sezonin e kaluar, faqja zyrtare e Bundesligës i kushtoi një artikull të bukur, në të cilin e vendosi atë si kandidat i ardhshëm për “Topin e Artë”. Mirëpo, Bajern Munih ka negociata shumë të avancuara për të nënshkruar me të në sezonin e ardhshëm, kështu që Barça tashmë e di se nuk do të ketë asgjë të lehtë. Në kërkim të lojtarëve, të cilët plotësojnë profilin e skuadrës katalanase, Barcelona, gjithashtu, thekson praninë e një tjetër të riu gjerman, Maks Mejer, pjesë e Shalke 04, 22 vjeç dhe nën kontratë deri në vitin 2018. Ai nuk ka ndonjë klauzolë të veçantë për t’u larguar nga klubi i tij. Të dy, Brandt dhe Mejer, i përgjigjen interesit të Barçës, përmbushin atë që ajo kërkon. Klubi katalanas ka studiuar tashmë mjediset e tyre personale dhe profesionale dhe të dy e kanë kaluar filtrin e parë. Përveç kësaj, të dy mund të luajnë në Çampions nga janari, pasi nuk e kontestojnë garën e madhe kontinentale me ekipet e tyre. Megjithatë, Barça mban në fokus edhe njeriun e golave të shkëlqyeshëm, Filipe Kutinjo. Braziliani i Liverpul nuk është larg nga largimi, por shifrat në të cilat operacioni do të lëvizë (rreth 130 milionë euro) bëjnë që Barcelona të kërkojë alternativa shumë më të volitshme. Në këtë kuptim, merkato gjermane ofron plane me të vërtetë interesante, me një profil të ngjashëm me atë të Kutinjos, ndonëse logjikisht, me një çmim shumë më të volitshëm. Prioriteti i Barçës është përforcimi i linjës sulmuese të ekipit, siç ishte tashmë në tregun e verës. Blaugranat nuk janë duke kërkuar për një qendërsulmues, por një lojtar që di se si të lëvizë në mes të linjave.