Shkup, 10 janar – Brenda një jave 207 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të prekjes nga gripi. Numri i të sëmurëve është i njëjtë me vitin e kaluar, thonë epidemiologët.
Mjekët paralajmërojnë se ajri i ndotur është një nga shkaqet për zvogëlimin e imunitetit, si dhe e përkeqëson gjendjen e të sëmurëve me grip.
“Numri i tyre nuk është i lartë, bëjmë analiza jo vetëm për gripin por në mënyrë laboratorike kërkojmë edhe prezencën e viruseve të tjerë që mund të shkaktojnë sëmundje të tilla. Për momentin nuk kemi raste fatale. Numri më i madh i të sëmurëve është nga mosha 15 deri në 64 vjeç dhe të grupmoshës nga 0-4 vite.”,- tha epidemiologia, Gordana Kuzmanovska.
Nga fillimi i sezonit të gripit numri më i madh i të sëmurëve është regjistruar në Gostivar dhe Strumicë, dhe deri më tani ka mbi një mijë persona të sëmurë. Epidemiologët presin rritje të numrit të të sëmurëve me grip në muajin shkurt kur nxënësit të kthehen në bankat shkollore.
Ata thonë se prevenimi më i mirë është vaksinimi, ndërsa bëjnë të ditur se deri më tani janë vaksinuar 40 mijë persona.(koha.mk)