Sofje, 11 janar – Zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva e ka pritur të dërguarin special të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), Vllado Buçkovski, i cili është për vizitë pune në Bullgari, njoftoi BGNES, duke iu referuar Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme.
Gjatë takimit ishin shkëmbyer ide për vazhdimin e procesit për kthimin e besimit mes të dyja vendeve.
“Republika e Bullgarisë propozoi plan aksional për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim. Ky dokument, i cili ka të bëjë me të gjitha ministritë dikasteriale, pritet të nënshkruhet në takimin e ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar (sipas nenit 12 të Marrëveshjes”, shkruan BGNES.
Siç njoftoi paraprakisht MPJ e RMV-së, është paraparë që Buçkovski në Sofje të realizojë takime me përfaqësues të Republikës së Bullgarisë në më shumë nivele.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbeten në pozicionin se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për gjetje të një zgjidhje adekuate, zgjidhje e përbashkët për dallimet bilaterale për çështje të ndryshme me Bullgarinë mike, si dhe për kthimin e besimit në efikasitetin dhe suksesin e Marrëveshjes për fqinjësi të vitit 2017”, qëndron në kumtesën e MPJ-së.
Gjatë fundit të vitit, përkujton Ministria, dorëzuam Plan Aksional për implementimin e Marrëveshjes për Miqësi të vitit 2017, ku në bisedë me Ministrat e Punëve të Jashtme Osmani dhe Zaharieva ka pasur dakordësim për shkëmbim të vërejtjeve, mendimeve dhe propozimeve adekuate.
“Në këtë drejtim në periudhën e ardhshme do të kemi kontribut konstruktiv nëpërmjet Përfaqësuesit Special, ndërsa të njëjtën e presim edhe nga pala bullgare, si mundësi e vetme deri në gjetjen e zgjidhjes”, njofton Ministria përmes një kumtese.