Fermerët akoma kanë probleme dhe nuk i kanë zgjidhur telashet me shitblerjen e sigurt, nuk është vendosur akoma një sistem stabil i prodhimtarisë së kontraktuar dhe akoma çmimet prodhuese janë shumë më të larta se ato shitëse
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 janar – Pandemia në gati dhjetë muajt e kaluar ka ndikuar negativisht edhe në punën e bujqësisë. Humbje, probleme me plasmanin, ulje e konsumit dhe fitimit. Këto janë vetëm një pjesë e halleve dhe problemeve që kanë munduar fermerët në periudhën e kaluar. Edhe vitin e kaluar sërish janë përsëritur problemet e vjetra me grumbullimin apo shitblerjen e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, si dhe luhatjet e mëdha të çmimeve në dëm të bujqve, të grurit, të mishit të qengjit, rrushit, duhanit, duhanit e kështu me radhë. Njohësit e këtij sektori vlerësojnë se pandemia vetëm ka ritheksuar edhe njëherë nevojën që ti kushtohet një vëmendje dhe kujdes më i madh shitblerjes me çmime të kontraktuara që më parë, si dhe zgjerimin në tregje të reja të prodhimeve të bujqësisë vendore, shkruan gazeta KOHA. Agronomët thonë se vendi posedon një potencial të madh të eksportit në industrinë e qumështit dhe përpunimeve të tij, industrinë e mishit dhe përpunimeve të tij, si dhe në industrinë e verës dhe mullisëve. Mbeten sfidat e bashkimit të parcelave të më vogla bujqësore në parcela më të mëdha, mbështetjes së mëtejshme të zhvillimit rural etj.
Agronomët vlerësojnë se kriza botërore ka shtresuar dhe thelluar edhe më tej problemet e ndryshme të bujqve në vend, dhe sidomos të atyre që gjenden në prag të qëndrueshmërisë. “Vitin e kaluar, sërish është dëshmuar se prodhuesit e vegjël janë një kategori mjaft e prekshme dhe e cenueshme, për shkak krahas tronditjeve të shkaktuara nga pandemia duhet të ballafaqohen edhe me aspektin e saj ekonomik dhe shëndetësor. Në fillim të krizës u shkaktuan edhe probleme me shpërndarjen apo distribuimin e prodhimeve”, thotë kryetarja e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Vaska Mojsovska. Sipas saj, nevojitet të vendoset një fond garantues dhe lloje të kredive të dedikuara enkas për fermerët e vegjël, si dhe të vendosen kooperativa bujqësore kreditore që do të sigurojnë kapitalin e nevojshëm për anëtarët e tyre. Ajo shton më tej se pandemia për një kohë të caktuar, mbylli edhe mënyrat e zakonshme të shitjes, andaj edhe një pjesë e prodhuesve u orientuan në shitjen e drejtpërdrejtë të prodhimeve më çmime më të ulëta ndaj tregtarëve, një pjesë e tepricës është hedhur, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur në ara. Në prodhimtarinë blegtorale një pjesë e krerëve të kafshëve janë mbajtur për mbarështim apo është vazhduar me kultivimin e tyre të mëtejshëm për të fituar më shumë mish.
Nga ana tjetër, analiza e Fakultetit të Bujqësisë në Shkup për nevojat e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, sërish ka aktualizuar problemet e vjetra të bujqësisë vendore që ngadalë po gjejnë zgjidhje në praktikë. Akoma fermerët kanë probleme dhe nuk janë zgjidhur telashet me shitblerjen e sigurt, nuk është vendosur akoma një sistem stabil i prodhimtarisë së kontraktuar, akoma çmimet prodhuese janë shumë më të larta se ato shitëse që udhëzon për mungesën e një sistemi stabil të ushqimit që do të funksionojë në çfarëdo rrethana dhe do të jetë një gjendje të sigurojë furnizim të mjaftueshëm dhe të vazhdueshëm për konsumatorët me shqim me çmime të kapshme. Ministri i Bujqësisë, Arjanit Hoxha, thotë se pandemia nuk e ka kursyer as sektorin e bujqësisë, por përkundër problemeve të shumta nuk guxon të ndërpritet prodhimtaria e ushqimit, për shkak se ajo është baza e jetesës, dhe ne së bashku me bujqit tanë duhet të ndjekim standardet evropiane, dhe të zbatojmë të arriturat e fundit shkencore që lehtësojnë prodhimtarinë bujqësore. Ai paralajmëroi se sivjet do të ndahen 150 milionë euro subvencione, do të ndërmerren masa intervenuese aty ku ka nevojë, dhe do të intensifikohet bashkëpunimi ndërkombëtar me qëllim të gjetjes së tregjeve të reja. Paraprakisht, ky dikaster ka realizuar edhe takime bilaterale me ambasadorët e shteteve të rajonit, SHBA, BE, vendeve të Lindjes së afërt dhe Federatës Ruse, me qëllim të gjetjes së mekanizmave për rritjen e tregtisë me prodhimet ushqimore-bujqësore dhe rritjes së eksportit në këto tregje.
Nga Shoqata e bujqësisë dhe industrisë ushqimore pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, thonë se shtrëngimet e kufizimeve në muajt e kaluar kanë ulur punën në sektorin bujqësor-ushqimor. “Sfidat më të mëdha në këtë sektor kishin të bëjnë me organizimin dhe logjistikën e eksportit dhe importit të prodhimeve, si dhe organizimi i punëve rrjedhëse bujqësore dhe proceseve prodhuese në kompanitë për shkak të orarit të kufizuar të punës dhe lëvizjes së kufizuar”, thotë Vasko Ristovski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë. Ndryshe, në 11 muajt e parë të vitit 2020 janë eksportuar 333 milionë euro ushqime dhe kafshë të gjalla, që paraqet një ulje të vogël në raport me 341 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rënie më të madhe të eksportit ka shënuar vlera e pijeve dhe duhanit. Ky lloj eksporti shënon rënie prej 227 milionë euro në 11 muajt e parë të vitit 2019 në 204 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në këtë periudhë mbeten gati të pandryshuara shifrat e importit të ushqimit me 682 dhe 683 milionë euro në 11 muajt e parë të viteve 2019 dhe 2020. Rënie nga 84 në 71 milionë euro ka shënuar importi i pijeve dhe duhanit. (koha.mk)