Shkup, 10 shkurt – Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë të angazhuar për krijimin e një sistemi adekuat të arsimit të dyfishtë dhe profesional që do të prodhonte një staf të kualifikuar dhe të trajnuar mirë, veçanërisht në fushat teknike, theksoi zëvendësministrja përgjegjëse për çështjet ekonomike, Mila Carovska, gjatë vizitës së sotme të kompanisë ODV “Elektrik” në Ohër.
Në këtë kompani nxënësit e shkollës së mesme teknike “Shën Naumi i Ohrit” ndjekin praktikën si pjesë e arsimit të dyfishtë.
Zëvendësministrja sot informoi se nga gjithsej 40.000 nxënës në arsimin e mesëm, vetëm 15.000 janë në shkollat teknike dhe mendon se duhet të punohet në rritjen e këtij numri.
“Këtu sot patëm mundësinë të shohim se si po testohet modeli i përputhjes së profesioneve të kërkuara dhe shoh se ai tregon rezultate të shkëlqyera. Për t’i stimuluar të rinjtë që të punësohen në prodhim, Qeveria ka prezantuar një shtesë për rininë shuma e të cilës është 3,000 denarë në muaj, të cilat mund të përdoren nga të gjithë të rinjtë deri në moshën 23 vjeçare të punësuar në prodhim, tha Carovska.
Drejtori i ODV “Elektrik”, Ognen Cubalevski, sot shpjegoi se me praktikimin e arsimit të dyfishtë krijohet një klimë e re biznesi dhe ndihmon në krijimin e shprehive të reja të biznesit.
Sipas tij, çdo kompani me përgjegjësi shoqërore duhet të investojë tek të rinjtë, dhe kështu të ndikojë në përmirësimin e proceseve demografike.
Drejtori i Qendrës Elektro-Mekanike Komunale “Shën Naumi i Ohrit ”në Ohër, Sasho Nedeski deklaroi se me rritjen dhe zhvillimin industrial në këtë rajon, u paraqit nevoja për një fuqi punëtore profesionale dhe një sistem arsimor që duhet të përshtatet në prodhim.
Në të gjithë procesin e arsimit të dyfishtë në pesë qytete në të gjithë vendin dhe dhjetë kompani të përfshirë janë gjithsej 250 studentë, nga të cilët vetëm 135 janë regjistruar këtë vit.(koha.mk)