Kryeministri Zoran Zaev dhe zyrtarë tjerë të shumicës parlamentare kanë theksuar se nëse kandidatja e opozitës që kryesohet nga VMRO-DPMNE, merr një votë më shumë se kandidati i tyre, do të shpallin menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare
Destan JONUZI
Shkup, 24 prill – Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe migrimi i qytetarëve nga vendi, kanë nxitur debatin në opinion për arritjen e censusit në raundin e dytë. Në një garë të paqartë presidenciale, mbetet e hapur edhe ideja për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe mënyra e zgjedhjes së Presidentit. Të gjitha partitë që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale, që tre kandidatët në një farë mënyrë shpallën fitore. Njëra palë numëron komunat ku ka fituar, tjetra vota, dhe e treta numëron votat e shqiptarëve, shkruan gazeta KOHA.
“Të gjithë thonë se janë të kënaqur, ndërsa nga ana tjetër shohim se nuk janë edhe aq të kënaqur. Kjo është kështu për faktin që të tregohet se frymë fituese, pasi që te ne qytetarët rreshtohen pas fituesit. Të gjithë në raundin e dytë, fillojnë nga zero. Zoti Reka, i cili ra nga gara nuk mund ti ruajë votat në frigorifer apo në kuletën e tij, ata njerëz ashtu edhe siç thanë vetë, do të vendosin vet se si do të votojnë, edhe pse unë mendojë se edhe ndaj tyre do të bëhet një lloj fushate propagandistike, ndoshta edhe presion dhe tentime për blerje votash. Rrethi i dytë i zgjedhjeve mendoj se nuk do të jetë aq evropian sa rrethi i parë i zgjedhjeve, pasi vendoset në rrethin e dytë. Të gjithë ishim të vetëdijshëm se në rrethin e parë nuk mund të vendoset se kush do të jetë president, ky është njëri problem”, deklaroi për gazetën KOHA, Eroll Rizaov, analist. Sipas tij, problemi tjetër është se të gjithë flasin për dalje të vogël në zgjedhje, por nuk është e vogël dalja.
“Sipas përllogaritjes time dalja në zgjedhje, nga numri i qytetarëve që janë prezent në Maqedoninë e Veriut, është mbi 65 për qind. Ne kemi 500 deri 600 mijë qytetarë të cilët janë jashtë vendit, të cilët në 10 vitet e fundit kanë migruar. Fakti tjetër është se kemi 20 deri 30 për qind të qytetarëve të cilët në asnjë cikël zgjedhor nuk kanë votuar. Ky rezultat afërsisht i barabartë midis pushtetit dhe opozitës është një motiv i mirë që të dilet në zgjedhje për arsye se të dyja palët mendojnë se do të fitojnë. Sipas meje cenzusi do të arrihet. Për këtë janë të interesuar edhe partitë shqiptare se kush do të jetë fitues për shkak të koalicioneve në të ardhmen”, theksoi Rizaov. Ai thotë se çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ngritët pas përfundimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Nga ana tjetër, analisti Daut Dauti, vlerëson se mundësia për zgjedhje të parakohshme parlamentare mund të shqyrtohet vetëm nëse pushteti i humb zgjedhjet përballë opozitës, por jo edhe nëse dështojnë ato.
“Është për t’u analizuar situata për shkakun e abstinencës në rrethinë e parë, nëse është shkaku i hatrit ndaj kandidatit shqiptarë e nuk kanë dashur të votojnë kundër tij, ndërkaq nuk kanë dashur ta prishin lojalitetin ndaj partive të tyre. Një numër i shqiptarëve janë votues të partive politike në pushtet. Tash kanë më tepër motiv që të dalin në votime, por është shumë e diskutueshme çështja e censusit, për arsye se ne nuk e dimë se a është abstinenca shkaku i konfiguracioneve politike, apo shkaku i mungesës së votuesve (migrimit)”, tha për gazetën KOHA, Dauti.
Analisti Dauti, konsideron se zgjedhja e Presidentit në parlament do ti evitonte shpenzimet e pa nevojshme. “Madje një zgjidhje e tillë do të ishte e mirë për shkak të kompetencave të kufizuara të Presidentit, vetëm në disa fusha që nuk e arsyeton dalje në zgjedhje të përgjithshme. Edhe ato kompetenca që ka presidenti për nënshkrimin e ligjeve në disa fusha janë të ndërlidhura, p.sh kompetencat në sferën e mbrojtjes janë të ndërlidhura me kompetencat e ministrit. Mendoj se më e arsyeshme është që presidenti të zgjidhet në Parlament”, nënvizoi Dauti.
Ndërkohë, analisti Dame Çkatroski, mendon se censusi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale shumë lehtë do të arrihet, duke pasur parasysh rezultatet e raundit të parë. “Dy kandidatët janë afër fitores. Që të dy kandidatëve dhe partive të tyre që i mbështesin nuk u konvenojnë zgjedhjet parlamentare. Por, jo vetëm – edhe BDI-së dhe mbështetësve të Rekës. Sa të duan le të flasin për zgjedhje të parakohshme, besoj se as teknikisht nuk është e mundur të realizohen. Bashkësia ndërkombëtare nuk mendon të lejojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa ne ende jemi në Marrëveshjet e Përzhinës dhe nën presion të BE-së që të kryejmë detyra të mëdha që vendit ti caktohet datë për fillimin e bisedimeve”, thotë Çkatroski.
Mendoj, shprehet më tej ai, se do të arrihet censusi dhe se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. “Ashtu si edhe është bërë e zakontë në këtë vend, elektorati shqiptarë vendos se kush do të jetë president. Që për mua nuk është edhe ndonjë opsion i keq”, u shpreh ai. Ndërkaq,k ryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dhe zyrtarë tjerë të shumicës parlamentare kanë theksuar se nëse kandidatja e opozitës që kryesohet nga VMRO-DPMNE, merr një votë më shumë se kandidati i tyre, do të shpallin menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Madje nga partitë në pushtet nuk është e pranueshme që të bisedohet me opozitën për zgjedhjen e Presidentit në Parlament. Ndërsa sa i për ketë çështjes së censusit, si çdo herë vendimtare janë votat e elektoratit shqiptar. (koha.mk)