Kolonia Ndërkombëtare e Artit “Gostivari 2018”, për shtatë ditë me radhë mbahet në hapësirat e hotel “Panoramës” Gostivar, ndërsa të mërkurën, më 29 gusht, në Qendrën e Kulturës të Gostivarit do të çelet ekspozita me veprat e realizuara nga piktorët gjatë këtyre ditëve
Shkup, 28 gusht – Veprat artistike të 40 artistëve nga vendi dhe shtete të tjera si Shqipëri, Kosovë, SHBA, Ukrainë, Francë,Turqi, Koreja e Jugut, Mali i Zi, Serbi, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë që janë tubuar në edicionin e 13-të të manifestimit tradicional kolonia “Gostivari 2018”, nga datat 24 deri më 30 gusht do të ekspozohen të mërkurën në sallonin e Qendrës së kulturës së qytetit, shkruan gazeta KOHA.
Prej disa ditësh artistët po krijojnë në vendet më piktoreske të zonës, qytetin dhe rrethinat dhe secili në mënyrën e vet do të hedhë në pëlhurë impresionet për arkitekturën e qytetit, kulturën dhe traditën e popullsisë së zonës.
E veçanta e edicionit të këtij viti është prania e një emri të njohur të artit figurativ, piktorit shqiptaro-francez, Omer Kaleshi. Gjatë qëndrimit të tyre në Gostivar, artistët krahas krijimit të veprave me motive nga zona, kanë vizituar edhe monumentet kulturore të Gostivari, si edhe janë takuar me përfaqësues të institucioneve lokale të kulturës.
Sipas organizatorëve, artistët e përzgjedhur janë emra të njohur nga vendet ku vijnë, e për rrjedhojë do të ofrojnë veprat e tyre më të mira të tyre, ndërsa artdashësit do të kenë mundësi të shohin sesi zhvillohet arti figurativ edhe në botë, raporton KOHA.
Kolonia Ndërkombëtare e Artit “Gostivari 2018”, për shtatë ditë me radhë mbahet në hapësirat e hotel “Panoramës” Gostivar, ndërsa të mërkurën, më 29 gusht, në Qendrën e Kulturës të Gostivarit do të çelet ekspozita me veprat e realizuara nga piktorët gjatë këtyre ditëve.
Interesimi i artistëve për të qenë pjesë e këtij manifestimi po rritet nga viti në vit, sidomos për krijuesit nga të gjitha trevat kulturore shqiptare, dhe dëshmon se kjo shoqatë, “Draudacum” është rritur dhe është formuar si epiqendër е artistëve shqiptarë, një vendtakim ku kultivohet dhe zhvillohet arti pamor, por edhe një mundësi e shkëlqyer për promovimin e artistëve të rinj, një pjesë e të cilëve fillimet e tyre artistike ia dedikojnë kësaj shoqate. Kolonia Ndërkombëtare e Artit “Gostivari 2018”, mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Gostivarit. (koha.mk)