Tashmë ekipi i Brighton & Hove Albion ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Emri i tij është Graham Polter që u angazhua nga ekipi uellsian Swansea City. Polter është 44 vjeçar dhe karrierën si trajner e ka nisur te ekipi suedez Ostersunds, duke e pasur suksesin më të madh te Swansea, të cilin e udhëhoqi vetëm për një vit. Pikërisht te ky klub luan ylli kosovar, Bersant Celina, që pati një sezon relativisht të mirë nën urdhërat e trajnerit Polter.
Celina ia doli mbanë që të ishte i rregullt në formacionin e parë të këtij ekipi, duke i shënuar 5 gola në 38 ndeshje. Për Kombëtaren e Kosovës, ai ka arritur që t’i shënonte 2 gola në 12 ndeshje, duke shfaqur lojë të jashtëzakonshme edhe në ndeshjen e fundit përballë Bullgarisë, shkruan Periskopi, përcjellë gazeta Koha.
Duke qenë lojtari i preferuar i Polterit në Swansea, mediat angleze tashmë besojnë se ai do ta marrë edhe yllin kosovarë në Premier Ligë, te ekipi i Brightonit.
Prizrenasi më parë ka qenë pjesë e Manchester Cityt dhe ka arritur që të luante vetëm një herë në Ligën Premier.