Na mungon me kushtetutë të shpallim imunitet total të çdokujt që është marrë ndonjëherë me pushtet dhe le të bëhemi shteti i vetëm në Evropë që do t’i japë krimit kushtetutshmëri! Përtej humorit të zi që të provokon natyrshëm rrethana groteske disa vjeçare, nëse duam shtet, le te fillojë i famshmi Vetting
Nga dr. Arben TARAVARI
Politika, ndoshta është termi më i përdorur në Maqedoni, më i urryeri dhe më pak i kuptuari nga ato që kanë tentuar të paguhen në emër të saj. Ka një sagë të gjatë për hamendësime se ka shumë politikanë që kanë ndërtuar Perandori duke blerë tokë në fushë e mal, brenda dhe jashtë kufijve, fabrika dhe aksione në firma. Sipas këtij supozimi, politika rezulton që të jetë biznesi më i sigurt për sukses duke ju referuar aludimeve që ngrihen për pjesën më të madhe të atyre që kanë qenë pjesë e saj. Do isha dhe do ishit shumë kurioz të dinit si e kanë vënë pasurinë disa emra politikanësh dhe a është e vërtetë që një pjesë e tyre janë të martuara me gra që edhe pse të paguara me paga të shkëlqyera për Maqedoninë (1-2 mijë euro në muaj), prapë nuk mund të justifikojnë pasuritë që kanë në ngarkesë.
Është e pabesueshme se si familjarët e politikanëve që kanë qenë në pushtet jetojnë të gjithë me kushte mbi mesataren! Pjesa dërrmuese posedojnë shtëpi të bollshme, makina lukzose, fëmijë dhe bashkëshort që punojnë në pozicione të lakmuara! Mirëpo problemi kryesor qëndron diku tjetër, është më i madh se ky, ngecja më e madhe është se populli ende nuk ka përgjigje! Me parimin e jurisprudencës thonë se 100 dyshime nuk përbëjnë dot një fakt, por ne këtu kemi 100 fakte që kanë vite që përpiqen t’i transformojnë në dyshime… Është gati e skalitur në trurin e çdo votuesi se politikani është një mezo-Zot (pardon për guximin metaforik), pra një lloj Centauri modern, që nëse ai mitologjiku thuhej të ishte gjysëm njeri e gjysëm kafshë, ky moderni, i pikërishmi, i tanishmi, është zhvilluar në atë standard sa ka kapur nivelin e Zotit!
Pra, supozojmë se fqinji juaj ka vendosur para disa vitesh të merret me politikë, ka qenë ngushtë me para, ka pasur një makinë Zastava ose hiç (pra si pjesa më e madhe e qytetarëve të vendit tonë), por tani, pas disa vitesh në pushtet, e shikon që ka 2-3 makina, që makina zyrtare dhe shoferi i tij përdoren nga fëmija e tij për të shkuar në palestër e deri tek e bija për të shkuar të bëj flokët, që shtëpia e tij është kthyer në shtëpi pushimi, pasi pjesën më të madhe të vitit, ai së bashku me familjen jetojnë në vende të tjera!
Sigurisht që nuk mund të jetë aspak e justifikueshme diferenca kaq e madhe, ndryshimi drastik që pësojnë jetët e politikanëve tanë. Kjo vihet re edhe në trupat e tyre, si fillim, në muajt e parë të pushtetit kanë një shtim të madh në peshë, pastaj vjen faza e dytë që është më e rafinuar, më e sofistikuar, ku turren në dietologë e bëjnë ndërhyrje për t’u dobësuar, ndoshta kjo është edhe faza e udhëtimeve të shumta, si të paparë dhe të pamësuar mbesin majë qiellit duke “zgjidhur hallet e popullit” në hotele me 5 yje, në mbrëmje “gala” të shoqëruar nga një dorë besnikësh, pse jo dhe “besnikesh”. Këto të fundit janë kryesisht edhe vendi investimi. Ka gjasa që një pjesë e taksave të popullit të shkojë pikërisht për vila, makina, unaza e gjerdanë të artë, udhëtime, trajtime e Zoti e di sa lukse të tjera kanë shoqet e reja që edhe punojnë sekretare apo nëpunëse të thjeshta, janë të veshura me këpucë apo çanta që shkojnë sa rroga e një mësuesi në Maqedoni! Tani Zoti të më falë, ndoshta gjithë ky hamendësim imi është lajthitje, ndoshta të gjithë i kanë vënë sarajet e tyre me punë të ndershme dhe të pastër, ndoshta të gjithë sapo kanë ardhur në pushtet, kanë zbuluar që paskan pasur një gjysh milioner, ose janë thjesht thashetheme, ndoshta nuk janë aq të pasur sa për të zënë burgun, mirëpo shqetësimi është i madh, ndaj i detyrohemi popullit që t’i japim një shpjegim më të detajuar për pasuritë tona, jo vetëm ne politikanët që jemi tani, por edhe ata që kanë ikur. Ka një re kur vërtiten koncesione të dyshimta, akuza për zhvatje të buxheteve shtetëror që ndryshe domethënë buxhete të popullit, përgjime që shpërthejnë çdo ditë, janë të gjitha thirrje, arsye për të investiguar se si janë bërë këto pasuri!
Sepse nuk është normale më që të jetojmë në këtë stinë të pafundme ku mungesa e shikueshmërisë na ka hedhur në rrugë me baltë, gropa e kanale ku jo pak herë kemi bërë aksidente. Na mungon me kushtetutë të shpallim imunitet total të çdokujt që është marrë ndonjëherë me pushtet dhe le të bëhemi shteti i vetëm në Evropë që do t’i japë krimit kushtetutshmëri! Përtej humorit të zi që të provokon natyrshëm rrethana groteske disa vjeçare, nëse duam shtet, le te fillojë i famshmi Vetting. Le të dimë kush sa ka dhe si e ka vënë! Ndoshta dalin të gjithë të pastër (dhëntë Zoti!), por të paktën do marrin fund shprehjet që tashmë janë shndërruar ne aksioma sociale, të tipit: mos ia mbani gajlen atij, u bë ministër…po të dojë ai e falimenton si biznes se është lart në qeveri… ai është me qeverinë, normal që ka 4 makina, ai ka fabrika…etj etj etj…
Thuhet që ka hajdut ndaj nuk janë bërë punët, thuhet që hajduti është disa vjeçar! Nuk është e mjaftueshme që hajduti të largohet e mos të vij më, e rëndësishme është të kapet, të kthehet malli e të dënohet fajtori!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)