Pozicionet drejtuese ata i kuptonin vende të shkëlqyera për të fituar para, për të udhëtuar jashtë shtetit që t’i shesësh mend dynjasë e Evropës (shumë prej tyre i ndajnë kështu), dhe të kontrollosh çdo punësim tjetër që bëhet nën ombrellën e institucionit që drejton “I Përzgjedhuri”!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Me titullin e shkrimit ndoshta shumëkush pret të lexojë ndonjë analizë apo kritikë letrare mbi një nga romanet më interesant që mban këtë titull të gjeniut të letrave Ismail Kadare, por jo, pavarësisht se në çorbën ballkanike është bërë normale thuajse që mjeku të bëj inxhinierin dhe kamarieri të ulërasë në gjykatë me veshjen e juristit, unë jam vetëm një lexues entuziast i letërsisë së Kadaresë, por me profesion jam neurolog dhe e gjej veten kompetent në zbërthimin profesional të trurit dhe jo të një vepre letrare.
E bëra gjithë këtë prolog për të çuar zërin lart për tmerrin e punësimëve në Maqedoninë e Veriut, që janë ashtu si titulli i Kadaresë “Çështje të Marrëzisë”. Mirë që kemi fatin e keq që përqindja e të punësuarve është shumë e ulët, mirë që duhet të durojmë tmerrin e regjimit të kaluar që ushtronte mënyrën e punësimit 99.99% partiake, por ajo çfarë është arsye më e madhe për të vënë kujën është përgatitja profesionale e shumë të punësuarve partiakë për pozicionin që paguhen, e cila nga 1-10 është 0-zero! Ti ndesh djem e vajza të rinj, të cilët të diplomuar në mënyra misterioze dhe pa asnjë lloj kualifikimi të mëtutjeshëm, të të prezantohen si drejtorë, shef sektorësh, shef departamentesh dhe deri ministria!
Sepse, pozicione të tilla konsiderohen si shumë të rëndësishme në menunë e madhe që partia ka për të qerasur apo blerë dhe sigurisht shantazhuar “besnikët”! Sepse parti të regjimit të kaluar që ende shiten për të gjalla megjithëse kanë kohë që kanë cofur, kishin strategji kriminale për mënyrën e punësimit.
Kështu pozicionet drejtuese ata i kuptonin vende të shkëlqyera për të fituar para, për të udhëtuar jashtë shtetit që t’i shesësh mend dynjasë e Evropës (shumë prej tyre i ndajnë kështu), dhe të kontrollosh çdo punësim tjetër që bëhet nën ombrellën e institucionit që drejton “I Përzgjedhuri”! I përzgjedhuri është pikërisht ky fatkeqi që mund të jetë ndonjë nip apo mbesë që periudhën e fakultetit kanë qenë duke udhëtuar që të mbush Facebook-un me foto, dhe prandaj ka shkuar të marrë vetëm diplomën, ose ndonjë qyqar bedel 50-60 vjeçar që gjithë jetën ka thënë vetëm “po shoku kryetar”.
Të dy këta prototipa duhet të plotësojnë disa kushte shumë të rëndësishme për të fituar vendin e punës:
- Duhet të kenë fis të madh që të ketë votuar i gjithi për shefin.
- Duhet të kenë mbushur kuti ose të paktën të kenë bërë përpjekje!
- Duhet që të jenë gati të sakrifikojnë gjithçka për shefin!
- Duhet të jenë gati që pyetjes: sa bëjnë 2+2, t’i përgjigjen – sa të doni ju shoku shef!
- Duhet të mos kenë asnjë thirrje të ndërgjegjes, të tipit- pse po vjedh?! pse punoj aty ku s’di?! pse po bëj marionetën?! Nëse këto apelime të ndërgjegjes thjesht mendohen ai/ajo është automatikisht i syrgjynosur larg botës magjike që partia “Dhuron”!
- Aplikanti duhet të mos dojë askënd përveç Kryetarit dhe Familjes, këto të dyja duhet t’i ketë të barabarta në zemrën e tij, ditën të dojë familjen se për atë punon, ama natën patjetër partinë!
- Nëse aplikanti është familje gjaku me kupolën apo shefin nuk vlen asnjë nga kushtet, sepse ata kanë fatin që të kenë gjak blu dhe kanë të drejta të ndryshme nga plebenjtë e Maqedonisë së Veriut që përfaqësohen nga populli!
E pra këto kushte strikte, aspak të lehta ka bërë që numri i të punësuarve partiakë, që meritojnë të quhen “kalorësit e partisë” të jetë i vogël krahasuar me numrin e të papunëve, por sherri i tyre të jetë aq i madh, sa dëmi që kanë shkaktuar me amatorizmin e tyre, do ketë pasoja që do mbeten gjatë në kujtesën tonë! Për ironi të fatit shumë nga vartësit e “Të Përzgjedhurve” janë dhjetëra e qindra herë më të aftë se shefat e tyre e duhet të durojnë vrazhdësinë dhe agresivitetin që pjell mendja e Shefave të tyre që nuk bëjnë asgjë dhe nga që nuk bëjnë asgjë ashtu si thonë latinët, nisin e bëjnë keq! Pra nga ata pak “besnikë partie” të mbetur ende në pozicione drejtuesi, 99.99% janë të paaftë, dhe dëmi që shkaktojnë ndihet në arsim, shëndetësi, turizëm, kulturë, sport, infrastrukturë!
A nuk është koha që të merret urgjentisht operacioni i spastrimit të këtyre metastazave, pasi nëse vazhdojnë të lihen aty, është e sigurt që do të shumohen! Nëse vazhdohet kështu, duke amnistuar dhe toleruar të paaftët, populli do jetë sërish ajo masë njerëzish që ashtu si plebenjtë në Romën e Lashtë, s’do ketë pothuajse asnjë të drejtë krahasuar me Familjet e Pushtetit, por kujdes: do çohet sërish në këmbë pasi: “Vox populi, vox Dei”, që do të thotë: Zëri i Popullit, Zëri i Zotit!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)