Douglas Costa po shijon pushimet e tij në “Cape Verde”, por tashmë ka nisur të mendojë edhe për sezonin e ardhshëm të Juventusit. Braziliani nënvizoi se do të qëndrojë te bardhezinjtë, ndërsa komentoi edhe dy përforcimet e bardhezinjve, Maurizio Sarri dhe Aaron Ramsey:
“Unë nuk e njoh Sarrin personalisht, por e pashë atë që bëri te Napoli. Ai pati një sezon të madh, në vitin e parë në Itali. Unë do të bëj gjëra të mëdha me të. Nuk e njoh personalisht as Aaron Ramsey, por e kam ndjekur shumë herë duke luajtur në Premier League. Nëse Juventusi e mori atë, kjo do të thotë se është një lojtar i madh”.
Douglas Costa është objekt i zërave të merkatos, por, vetë ai zbulon vendimin për të qëndruar në Torino: “Kam edhe 3 vite kontratë dhe jam i bindur të vijoj me Juventusin. Tani gjithçka është e re, kështu që do të qëndroj”.
Disa fjalë edhe për sezonin e ardhshëm në Serie A: “Çdo vit është më i vështirë. Tani kemi trajnerin Conte tek Interi, Ancelotti vijon te Napoli, të gjithë bëhen më të fortë. Do të jetë një kampionat i vështirë”.
Megjithatë, për brazilianin, Juventusi mbetet i njëjtë, para të gjithëve: “Prioriteti ynë është të përmirësohemi edhe në Ligën e Kampionëve, sepse në Serie A nuk kemi kundërshtarë. Qëllimi ynë është i qartë: të fitojmë çdo kompeticion, në të cilin do të marrim pjesë”.