Ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë se zgjidhja për Kosovën mund të arrihet në një konferencë ndërkombëtare.
“Parakusht për këtë është që qëndrimet e dy palëve të përafrohen”, ka thënë Dacic në një deklaratë për “Telegraf”-in serb, duke shtuar se tash për tash qëndrimet e dy palëve janë bukur të larguara, transmeton gazetametro.net.
Dacic, sipas gazetës, thotë se zgjidhja mund të jetë i ashtuquajturi “Dayton dy”, përkatësisht zgjidhja sipas modelit të përkufizimit në një konferencë të madhe ndërkombëtare, e cila do të duhej të mbahej para majit 2019, kur skadon mandati i Komisionit Evropian.
Shefi i diplomacisë serbe thekson se përkufizimi me shqiptarët është e vetmja çështje e kufijve, e cila në rast të “Daytonit dy” do të gjendej në rend dite.