Një i punësuar në veprimtarinë e programimit kompjuterik, konsulencës dhe veprimtarive të ngjashme – fiton 70.492 denarë pagë mesatare neto, në raport me pagën mesatare neto të një punëtori në fabrikë apo në industrinë përpunuese prej 23.690 denarë. Ekonomistët shpjegojë se jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë botën ekzistojnë dallime të mëdha në paga, e që varen nga më shumë tregues
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 prill – Një programues në mesatare fiton një pagë që është për tre herë më e lartë se paga mesatare e një punëtori në fabrikë. Këtë e dëshmojnë të dhënat e fundit të Entit të Statistikës për pagat e muajit shkurt, sipas të cilave, një i punësuar në veprimtarinë e programimit kompjuterik, konsulencës dhe veprimtarive të ngjashme – fiton 70.492 denarë pagë mesatare neto, në raport me pagën mesatare neto të një punëtori në fabrikë apo në industrinë përpunuese prej 23.690 denarë. Ekonomistët shpjegojë se jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në tërë botën ekzistojnë dallime të mëdha në paga, që varen nga më shumë tregues.
“Bëhet fjalë për pagat që paguhen nga fitimi që realizohen nga kompanitë e huaja në tregjet e huaja, por që punojnë tek ne, andaj edhe nuk është për t’u habitur niveli i tillë i pagave në këtë sektor. Bëhet fjalë për një sektor mjaft dinamik ku në vazhdimësi kërkohen profesionistë dhe ku ata që janë më të shkathët – nuk kanë asnjë problem të gjejnë punë edhe në shtetet evropiane me paga joshëse”, thotë një programues në vend. Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, përfundimi i shkollave të larta mjaft të rënda, detyrat e punës shumë kërkuese dhe me afate shumë stresuese për të kryer detyrat e punës, janë ndër shkaqet pse profesioni i inxhinierëve dhe programuesve paguhet aq shumë. “Kjo degë ekonomike është e orientuar fuqishëm në shitjen e shërbimeve të saja jashtë vendit. Gjithashtu, edhe në botë sa vjen e më shumë po kërkohen profile të tilla të ekspertëve, dhe në fund të fundit – edhe prodhimi final i tyre në treg kërkohet dhe paguhet shumë më shumë në raport me prodhimin e fabrikave”, shton më tej Turkeshi.
Sipas tij, edhe në Perëndim – një menaxher në industrinë e veturave për shembull paguhet me Qindra mijëra dollarë në vit, për dallim prej një punëtorit që paguhet disa mijë dollarë në muaj, apo një shitësi në auto-sallon që mund të fitojë mbi 10 mijë dollar në muaj. Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se edhe në shtetet e zhvilluara – profesionet e informatikës paguhen shumë më shumë se punëtorët në fabrika. Për shembull, një i punësuar në një fabrikë holandeze ka një pagë mujore prej 1530 euro në muaj apo afër 18 mijë euro në vit në raport me pagën fillestare të një eksperti të teknologjisë informatike prej 46 mijë euro në vit. Apo me fjalë tjera, dallimet në paga edhe në Holandë janë më shumë se dy herë e gjysmë në favor të të punësuarve në sektorin e teknologjisë informatike në raport me punëtorët në fabrikë.
Nga ana tjetër, më shumë analiza tregojnë se një nga shkaqet kryesore të pagave që ngecin në Ballkanin Perëndimor në raport me shtetet perëndimore është edhe niveli i ulët i konkurrencës së ekonomive të rajonit karshi Evropës. Kohë më parë, “Bruno Serxhi” nga Instituti Evropian Sindikal theksoi se dy indekset për konkurrencën dhe inovacionet globale flasin mjaft për shtetet e rajonit. Sipas këtij të fundit, Kroacia është në vendin e 44, Mali i Zi në vendin 52, Bosnja në vendin 77, Shqipëria në vendin 83 dhe Maqedonia në vendin 84. Sipas “Bruno Serxhi”, me zhvillimin dhe avancimin e produktivitetit përmes zhvillimit të teknologjive informatike, do të ndikohet në tregun e punës, por kjo nuk nënkupton mbylljen e vendeve të punës, por edhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shtetet e rajonit mund të zhvillojnë strategjitë e përparësive konkurruese ngjashëm me ato të “tigrave aziatik”. Mbetet sfidë e rajonit të zbusë ikjen e të rinjve, si dhe të investohet më shumë në kapitalin njerëzor dhe në teknologji të reja.
Sindikalistët njëherësh vlerësojnë se në botë dhe Ballkan, ekzistojnë dallime të mëdha në paga, si dhe rritje e jo barazisë që sipas tyre, mund të sjellë kërcënime për stabilitetin e vendeve. Sipas Serxhit, rritja e pagave në rajon nuk po ndiqen nga produktiviteti i punës, ndërsa edhe ikja e trurit po ndikon në distribuimin e të ardhurave, për shkak se fuqia më cilësore punëtore po ik jashtë, e që do të ketë efekte afatgjate në strategjitë e ardhshme të të ardhurave. Sindikatat vlerësojnë se investimi në kapitalin njerëzor duhet të jetë më i madh, politikat tatimore duhet të jenë kryesore për uljen e dallimit midis atyre që kanë më shumë dhe më të varfërve, ku të pasurit pasurohen edhe më tej, të varfrit po varfërohen edhe më tej ndërsa qasja ndaj arsimit po vështirësohet për më të varfrit.
RRITET PAGA MESATAR
Në ndërkohë, paga mesatare në vend është rritur në muajin shkurt për 2.7 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, si rrjedhojë e rritjes së pagës mesatare neto në sektorët e informatikës dhe komunikimeve për 10.1 për qind, shërbimeve të tjera shërbyese për 8.2 për qind, xehetarisë dhe nxjerrjes së gurëve për 7.5 për qind. Përskaj programuesve me paga të larta mesatare – dallohen edhe punëtorët në fabrikat e ilaçeve me 46.720 denarë, furnizimin me energji elektrike dhe gaz me 41.443 denarë, transporti ajror me 43.372 denarë, në telekomunikacion me 41.742 denarë, shërbimet financiare me 45.140 denarë, sigurimet dhe fondet pensionale me 39.532 denarë etj. Pagat më të ulëta mesatare në muajin shkurt i kanë pranuar të punësuarit në veprimtaritë e sigurimit me 15.830 denarë, agjencitë turistike me 16.818 denarë, prodhimtarinë e lëkurës me 16.581 denarë, veshmbathjes 17.652 denarë, përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit me 17.991 denarë… (koha.mk)