Muajt zakonisht kanë 30 apo 31 ditë, e cila gjë shpesh shkakton huti tek njerëzit, mirëpo shumë rrallë ndodhë që t’i ketë 32.
Kjo, në fakt, ndodhë vetëm për Prokurorinë Themelore të Pejës, e cila për shkak të një pakujdesie ia shtoi një ditë muajit tetor, shkruan gazetametro.net.
Kjo huqje nuk i ka shpëtuar syrit të analistit Imer Mushkolaj, i cili ka ironizuar me Prokurorinë e Pejës, duke ia atribuuar ‘zbulimin’ e datës 32.
“Prokuroria Themelore në Pejë zbulon datën 32 tetor. Urime!”, ka shkruar Mushkolaj.
Siç vërehet nga dokumentet, Prokuroria e kishte vërejtur huqjen e saj në protokollim të dokumentit, mirëpo nuk e kishte parë të rrugës që ta shtyp një dokument të ri. Të njëjtit dokument, ata i vetëm i kanë vendosur një vulë të re të protokollit.Sidoqoftë, institucionet kosovare të akuzës, shpesh janë përfshirë në huqje të tilla. Javën e shkuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngriti aktakuzë ndaj një personi që kishte vdekur para 12 vitesh.