Përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’u përballur me ekstremizmit të dhunshëm, kanë për qëllim forcimin e kapacitetit institucional në mënyrë që të zbatojnë me sukses trajtimin e këtyre fenomeneve të sigurisë dhe garantimin e sigurisë publike, ndërkohë që zërat kritikë kundër këtyre devijimeve nuk arritën as nivelin e debatit në shoqëri
Zenel MIFTARI
Shkup, 3 janar – Javë më parë janë arrestuar tetë persona, të cilët dyshohen se janë pjesë e grupit terroristë ISIS. Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, policia ka kryer bastisje në tetë lokacione, pesë në Kumanovë dhe tre në Shkup. Sektori për luftimin e krimit të organizuar ka bërë padi penale ndaj personave në fjalë dhe sipas njoftimeve ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “grup terrorist”, që dënohet sipas nenit 394, alineja II nga Kodi Penal.
INSTITUCIONET SHTETËRORE KANË PËR QËLLIM FORCIMIN E SIGURISË
Borçe Petrevski nga Komiteti Nacional për parandalimin e terrorizmit dhe kundër-terrorizmit, për gazetën KOHA, është shprehur se përpjekjet e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, për t’u marrë me përballimin e ekstremizmit të dhunshëm, proceset e radikalizimit dhe terrorizmin, kanë për qëllim forcimin e kapacitetit institucional në mënyrë që të zbatojnë me sukses dy projekte kryesore të rëndësishme për trajtimin e këtyre fenomeneve të sigurisë dhe garantimin e sigurisë publike. “Këto projekte janë Strategjia Kombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm (2018-2022) dhe Strategjia Kombëtare për luftimin e terrorizmit (2018-2022). Institucionet e Qeverisë së RMV-së, po punojnë vazhdimisht në krijimin e programeve për trajtimin institucional në mënyrë që t’i integrojnë luftëtarët terroristë të rikthyerit nga luftërat e huaja, duke formuar ekipe në nivelin qendror dhe lokal për të punuar me ata dhe ndërtimin e kapaciteteve të ekipeve”, ka deklaruar Petrevski. Ai, ka shtuar se Qeveria ka koordinim me sektori civil dhe bashkësinë ndërkombëtarë, me bashkësitë fetare, mediat dhe vetëqeverisjen lokale, të gjithë këto aktivitete bëhen për qëllim riintegrimi dhe marrjen e masave dhe aktiviteteve për të monitoruar dhe kundërshtuar format e tjera të dhunës në vendin tonë. Ai ka thënë se ky grup punues i formuar posaçërisht nga Qeveria e RMV-së gjatë vitit 2020 zhvilloi Planin Kombëtar për riintegrimin, risocializimin dhe rehabilitimin e të kthyerve nga luftërat e huaja dhe anëtarët e familjeve të tyre, i cili u miratua nga Qeveria. “Niveli i bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore kompetente dhe agjencive shtetërore me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe me mediat, bashkësitë fetare dhe komunitetet tjera lokale vlerësohet si i qëndrueshëm, me mundësinë e përmirësimit të tij në vitin 2021”, përfundoi ai.
ALARMIMI NË VESH TË SHURDHËR
Adelina Marku, aktiviste në fushën e prevenimit të radikalizmit dhe terrorizmit, për gazetën KOHA, është shprehur se arsyet e paraqitjes së jetës dhe funksionimit të këtyre celulave terroriste në territorin e vendit, doemos që duhen parë si metastaza të pritshme e që burimin e kanë në sajesën e re ideologjike të shekullit të 21 e që mirë njihet si politizimi i fesë.
“Paraqitja e tyre duhet parë edhe si dështim i politikbërjes, por edhe i institucioneve të sigurisë nacionale dhe bashkësive të organizuara fetare. Zërat tonë fatkeqësisht nuk arritën as nivelin e debatit në shoqëri për këtë temë! Madje, sulmohemi në mënyrën më të pistë kur flasim për këtë temë! Ose më mirë, anatemohemi! Burgosja e tetëshit të frymëzuar nga ISIS tregon se kjo ideologji është padyshim reale tanimë dhe rrjeti është aq i fuqishme sa shkon deri në frymëzim për uzurpim të sovranitetit, madje në dukje laike por që merr forma vrazhdësie para transcendentale për njeriun e përditshmërisë”, theksoi Marku. Ajo ka shtuar se duartroket për suksesin e aksionit të fundit policor dhe shërbimeve inteligjente që ishin në bashkëpunim me shërbimet e ngjashme ndërkombëtare. Sipas saj kjo të lë të kuptosh se të jesh anëtar i NATO-s, duhesh besuar vërtet në kauzën e parandalimit.
“Jam e bindur se shumë nga besimtarët hidhërohen nga ata që njollosin besimin e vërtetë në Zot, prandaj duartrokas për vetëdijen e fuqishme e bashkëpunuese të besimtarit. Ekzistimi i këtyre celulave që shëmtojnë besimin fetar, forcon dilemën nëse e kanë të korruptuar e utilitariste kauzën Bashkësitë fetare në vend! Për fund, ajo ka dërguar një porosi Qeverisë dhe partive politike, që të mos turpërohen e të mos fshihen duke iu bërë makiazh të metave të shoqërisë sepse asisoj, ata vetëm se rrezikojnë jetën e votuesve të tyre!Siç tha ajo, heshtja në këtë rast nuk është flori, prandaj dhe kritikat tona si individë, intelektualë e shoqëri civile që ua drejtojmë jo vetëm partive politike por edhe Qeverisë, sidomos apatisë së Komitetit nacional për parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit i cili është shenduar në një rashomoniadë konferencash “hedonizmi informativ e edukativ” e që nuk ka fije ndikimi në shoqëri. “Gjetja e konsensusit politik, ndërfetar e ndërqytetar drejt luftimit të formave të radikalizmit në shoqëri duhet të jetë kauza e vitit 2021. Le mos jetojmë më në filmat tonë utopikë, me sa duket regjinë e paskemi bërë vetë”, ka përfunduar Marku.
KËSHILLIME FETARE DHE PSIKOLOGJIKE
Samet Shabani nga Horizon Civitas, e cila është organizatë joqeveritare dhe merret me fushën e riintegrimit për gazetën KOHA, është shprehur se deri në çfarë niveli janë të ekstremizuar këta persona përveç se organeve kompetente të cilat merren rrënjësisht rreth individëve të caktuar dikush tjetër nuk ka të drejtë të flasë. Por sipas tij, nëse bazohemi në deklaratën e Prokurorisë publike, mund të gjeneralizojmë se bëhet fjalë për nivel alarmant të ekstremizmit me indice të tejkalimit në dhunë, gjegjësisht terror.
“Meqë individët në fjalë arsyetojnë dhunën dhe terrorin, edhe atë në emër të fesë, këshillimet psikologjike dhe fetare janë hapat më të rëndësishme fillestare në një proces riintegrimi. Andaj, institucionet publike duhet të krijojnë një bashkëpunim thelbësorë me Bashkësinë Fetare Islame (BFI) për këtë çështje. Më pas, duhet të sigurohet mirëqenie sociale dhe ekonomike që këta persona të angazhohen për një jetë më të dobishme për veten dhe rrethinën e tyre”, deklaron Shabani. Ai, në fund ka shtuar se është me rëndësi që institucionet të zhvillojnë programe origjinale të vetat që do të korrespondojnë me nevojat e veta, duke i angazhuar profesionistët e vetë. Gjithsesi, siç tha ai, në këtë mund të konsiderojnë praktikat e mira nga disa shtete të BE-së që kanë përvojë në fushën e riintegrimit siç janë Holanda, Gjermania dhe Danimarka.
DEVIJIMET EKSTREME, LARG XHAMIVE TË BFI-së
Bashkësia Fetare Islame (BFI), për gazetën KOHA, deklaruan se kanë analizuar situatën dhe kanë njohuri se personat në fjalë nuk kanë të bëjnë me asnjë nga nëpunësit apo xhamitë që BFI e RMV-së i koordinon.
“Si gjithmonë, BFI e RMV-së ashpër kundërshton çdo lloj të ekstremizmave e radikalizmave, e në veçanti ato që ndërlidhen me BFI-në dhe Islamin në përgjithësi. Apelojmë te të gjithë besimtarët, e në veçanti nëpunësit fetarë, të jenë të kujdesshëm ndaj veprimtarive të shëmtuara ekstreme dhe radikale sepse ato nuk përkojnë aspak me parimet e fesë islame dhe me traditën tonë të përgjithshme”, deklaruan nga BFI. Nga atje shtuan, se këta persona marrin frymëzim nga qarqe të errëta të panjohura për BFI-në, shumë larg xhamive publike ku BFI ka kompetenca dhe që promovojnë paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën. Sipas tyre, këta persona janë pjesë e agjendave të huaja të panjohura që ia duan të keqen Islamit dhe shoqërisë sonë. Në fund nga BFI, thanë se ata punojnë në forma të ndryshme për parandalimin e personave të tillë, siç janë punëtori, trajnime, projekte të ndryshme që BFI veç më i organizon intensivisht për vite me radhë. “Për më shumë BFI është e gatshme për bashkëpunim të të gjitha niveleve me institucionet shtetërore për organizimin e projekteve të ndryshme që do ndikojnë në rritjen e mëtejme të vetëdijes së popullatës sonë dhe mbrojtjen e saj nga rrymat e huaja e të rrezikshme radikaliste”, përfunduan nga BFI.
Ndryshe, eksponentët e terrorizmit përdorin frikën si armë psikologjike dhe kjo mund të ketë pasoja serioze psikologjike për individët dhe shtetet. Kjo mund të ndikojë te mënyra sesi njerëzit vlerësojnë angazhimet politike të qeveritarëve. Kërcënimi i terrorizmit, natyrisht, nuk ka të njëjtin efekt te të gjithë. Shumica e njerëzve pa dyshim i përgjigjen kërcënimeve të terrorizmit në një mënyrë racionale dhe konstruktive. Ana tjetër e medaljes në lidhje me frikën që terroristët e përdorin si armë është fakti që frika mund të shërbejë te njerëzit dhe qeveritë për të forcuar qëndrueshmërinë. (koha.mk)