Ashtu si në dekadën e parë të shek. 20 kur shqiptarët e vonuar kërkonin me nguti shtiza flamuri nëpër kazermat e aleatëve ballkanikë për të shpallur pavarësinë dhe për të penguar depërtimin e hordhive shoviniste në zonat e thella etnike ( në Durrës, Elbasan e gjetiu), edhe tani, paradoksalisht, shqiptarët e Maqedonisë me nguti po kërkojnë një ballkon të vockël për nja 2, 3 persona prej ku do të kumtonin zgjidhjet e “të tjerëve” që do të prezantoheshin “si tonat”
Nga Emin AZEMI
Shqiptarët deri më tani kanë komentuar variantet e të tjerëve rreth emrit të ri të Maqedonisë, por nuk kanë ofruar variantin e tyre. Nëse vazhdohet kështu, pra që shqiptarët vetëm të presin nga të tjerët se çka do t’iu servojn në tavolinë, do të ngelin gjithmonë të uritur. Prandaj, ata, shqiptarët, ose duhet të mësohen me efektet që sjell trauma e ndryshimit, ose duhet të organizohen dhe të ofrojnë një propozim të tyre. Ajo çka kemi parë deri më tani, ka qenë më tepër në stilin “ne nuk pajtohemi me…” dhe nëse vazhdohet me këtë logjikë gjithmonë do të ketë propozime që ‘ne nuk do të pajtohemi…’. Ashtu siç ndodhi edhe tash së fundmi, “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” doli të jetë sërish problem, sepse “ne nuk do të pajtohemi…”, madje edhe atëherë kur askush nuk e merr mundin të konsultojë botën akademike e shkencore rreth formatit gjuhësor të këtij formulimi që ka dalë për ibret – “Ilinditase”(!)
Nëse në njërën anë nuk pajtohesh me diçka, kurse në anën tjetër nuk ofron versionin tënd të zgjidhjes, atëherë i bie që ne shqiptarët kemi problem fundamental me shqiptimin e kauzave tona që lidhen me të ardhmen e këtij shteti. Ose, duam që përmes kontestimeve në stilin “refuzo – mos ofro zgjidhje”, të dëshmojmë se jemi më të përgatitur të prishim se të ndreqim. Në fakt, askush nga shqiptarët, sidomos intelektualët, nuk duan të prishin asgjë në krejt këtë histori riemërtimi, por ama tingëllon paksa joserioze kjo prirje e njëanshme që aspiratat shtetformuese ti manifestojmë vetëm atëherë kur të tjerët na irritojnë përmes zgjidhjeve që nuk na bëjnë të lumtur, por jo edhe këtë proces shtetformësimi ta “gatuajmë” edhe me duart tona, me miellin dhe ujin e viseve tona, në mënyrë që “buka e përbashkët të ketë shijen që do të shuaj edhe urinë tonë”. Nëse vazhdohet kështu, me këto kontestime, pa ofruar zgjidhje, do të ngelim vazhdimisht të uritur dhe si gjithmonë do të vajtojmë se “të tjerët ishin më të shkathët në sofër dhe nuk na e lanë as një trohë bukë”.
Përfshirja fragmentare e shqiptarëve në debatin rreth riemërtimit të Maqedonisë, përmes grupeve të vogla të intelektualëve dhe mosbashkëpunimi politikë – institucione relevante kulturore-shkencore shqiptare, është dimensioni tjetër problematik që ridëshmon kaosin që mbretëron në shoqërinë shqiptare. Të kesh kaq shumë universitete dhe kaq shumë tituj akademikë, dhe të mos arrish të prodhosh një ide mobilizuese që do të kapërthente interesat etnike, politike, kulturore të shqiptarëve, përmes një mekanizmi bashkëpunues, ku politika do ta kishte rolin e saj dominues në përfaqësimin e këtyre interesave, flet për një (para)romantizëm të shqiptarëve të Maqedonisë. Pikërisht si atëherë në shek. 19 kur një grusht shkrimtarësh e atdhetarësh shqiptarë në mërgim përçonin ide nacional-romantike mbi të ardhmen e Shqipërisë, ndërkohë që Porta e Lartë ishte në valë krejtësisht të kundërta me këto ide dhe për rrjedhojë patëm vonesën e pajustifikueshme të formimit të shtetit të pavarur shqiptar. Tani, rrethanat kanë ndryshuar dhe krahasimet mund edhe të mos vlejnë për të gjitha situatat, por ajo që ngelë e pandryshuar nga shekulli i 19-të është diskordanca në mes të politikës dhe inteligjencisë. Deri më tani, paradoksalisht, duhet konstatuar se nuk u mbajt as edhe një takim joformal në mes të përfaqësuesve të politikës dhe zërave intelektualë shqiptarë të Maqedonisë për sa i takon pikëpamjeve shkencore e kulturologjike rreth riemërtimit të shtetit, problem ky që nuk është vetëm i maqedonasve dhe grekëve, por edhe i shqiptarëve me autoktoni mijëravjeçare. Ashtu si në dekadën e parë të shek. 20 kur shqiptarët e vonuar kërkonin me nguti shtiza flamuri nëpër kazermat e aleatëve ballkanikë për të shpallur pavarësinë dhe për të penguar depërtimin e hordhive shoveniste në zonat e thella etnike ( në Durrës, Elbasan e gjetiu), edhe tani, paradoksalisht, shqiptarët e Maqedonisë me nguti po kërkojnë një ballkon të vockël për nja 2, 3 persona prej ku do të kumtonin zgjidhjet e “të tjerëve” që do të prezantoheshin “si tonat”.
Të vonuar dhe të hutuar, kështu siç po veprojnë, shqiptarët kanë harruar ta përjetojnë shtetin edhe si projekt të tyre, prandaj arratisja në histori dhe në tema që i kontestojnë por nuk ofrojnë zgjidhje, sikur krijon njëfarë justifikimi për boshllëqet që po na paraqiten në shoqëri, duke filluar nga politika, arsimi, kultura, feja e deri te sporti, familja, bujqësia, migrimi etj. etj.
Fundja, një mëngjes të bukur me diell, ne do të gdhihemi me një riemërtim shteti, për të cilin as që do të konsultohemi paraprakisht si shoqëri shqiptare, por ngelë e hapur një çështje madhore që lidhet pikërisht me aftësinë e inkorporimit të afiniteteve tona shtetndërtuese në projektin e përbashkët, i cili para se të jetë i rëndësishëm se si quhet, do të jetë më i rëndësishëm se çfarë kualiteti prodhon mendja jonë për të qenë konkurrues me ata që hezitojnë të na trajtojnë bashkëpjesëmarrës të barabartë në anijen e shtetudhëtimit.
Mbase, historinë duhet ta mësojmë vetëm si leksion për të mos përsëritur gabime, por jo edhe si sedativ për të përgjumur të ardhmen tonë. (koha.mk)