Anëtarët e Parlamentit izraelit (Knesset) diskutuan për deklaratat e presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në mbështetje të Kudsit dhe palestinezëve, pasi që SHBA njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit. Yehuda Glick, deputeti i partisë Likud, i njohur me deklaratat e tij ekstreme djathtiste, si dhe disa deputetë të tjerë djathtistë kërkuan që Erdogan të sanksionohet për deklaratat e tij në lidhje me statusin e Kudsit. Megjithatë, debatin mbi presidentin turk hapur e ka kundërshtuar Ahmad Tibi, deputet i Knessetit me origjinë palestineze. “Deputetët djathtistë kërkojnë që presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të sanksionohet për deklaratat dhe qëndrimin e tij në lidhje me Kudsin. Deputetët djathtistë pretendojnë se Erdogan ka goditur sovranitetin e Izraelit”, thekson Tibi në deklaratën e tij. Ai shtoi se qëndrimi i Erdogan-it mbi çështjen e Kudsit është skajshmërisht i sinqertë.
“Qëndrimi i Presidentit të Turqisë dhe popullit të tij në lidhje me vendimin e Donald Trump është i sinqertë. Të gjitha vendet arabe dhe muslimane duhet të marrin qëndrim të njëjtë në mbështetje të popullit palestinez”, tha Tibi. Ai theksoi se Kudsi ende është kryeqyteti i Palestinës, duke shtuar se i tillë do të jetë edhe në të ardhmen. Në fund, ai shtoi se deputetët e krahut të djathtë izraelit kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të Erdoganit, dhe për shkak të Samitit të fundit të përfaqësuesve të shteteve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OIC) në Stamboll, e cila hodhi poshtë dhe dënoi deklaratën e administratës amerikane lidhur me statusin e Kudsit duke i dërguar apel të gjithë botës që të njeh Kudsin Lindor si kryeqytetin e shtetit të Palestinës.