Shkup, 2 qershor – Në dy vitet e ardhshme të mandatit Qeveria të punojë në përmirësimin e kushteve për biznes, të mos lejojë që të ketë raste në të cilat do të viktimizohet drejtësia, të tregojë zero tolerancë kundër korrupsionit, të kthejë besimin e qytetarëve në institucionet, t’i zbatojë ligjet reformuese të cilat i mbulojnë problemet e grupeve të ndjeshme në shoqëri, si dhe ta reformojë arsimin dhe të ndajë më shumë financa për kulturën, njofton Koha.mk
Këto janë një pjesë e rekomandimeve të pjesëmarrësve të debatit gjatë forumit “Dy vite Qeveri-përgjegjësi para qytetarëve”: Të përkushtohemi dhe të punojmë për shoqëri më të mirë si shtëpi dinjitoze për jetë të të gjithë qytetarëve, në të cilën kryeministri Zoran Zaev dhe ministrat ishin parashtruar problemet me të cilat përballen qytetarët në sfera të ndryshme.
“Qeveria ka qëllim themelor që të krijojë rrethinë të mirë për firmat, klime të volitshme për investime e cila do t’i inkurajojë bizneset që në mënyrë produktive të investojnë”, tha kryetari i ASHAM-it Taki Fiti.
Ai shtoi se këtu ka shumë punë për të bërë Qeveria në të ardhmen, e cila duhet të sigurojë infrastrukturë moderne ekonomike, qasje të njëjtë për të gjitha firmat deri te të gjitha furnizimet publike dhe deri te të gjitha format e ndihmës shtetërore.
Profesoresha universitare Besa Arifi, duke folur për gjendjen në gjyqësor, theksoi se në dy vitet e ardhshme nuk duhet të lejohet, siç tha, të viktimizohet drejtësia, ndërsa fokusi i dytë të jetë lufta kundër korrupsionit.
Kryetarja e OJQ “Ambrella” dhe aktiviste qytetare Latifa Shikovska, e cila foli për gjendjen në të drejtat sociale dhe shëndetësore, konstatoi se për romët si kategori më e ndjeshme nuk janë bërë ndryshime të dukshme në sferat me prioritet si arsimi, strehimi dhe shëndetësia.
Sipas Urania Pirovskës, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit, në dy vitet e ardhshme kjo Qeveri duhet të tregojë se ka mundësi dhe kapacitete që t’i zbatojë ligjet e reformuara. Sipas saj, në vend zbatimi i ligjeve është problemi më i madh.
Gazetari Tomisllav Kezharovski, foli për vlerat e lirisë së shprehjes, rolin saj e veçantë në mbrojtjen e mediave dhe gazetarëve, me çka, tha, është e rëndësishme shkalla e cilësisë së informimit të qytetarëve.
Sipas kryeministrit Zoran Zaev, veçanërisht me rëndësi është ajo që është bërë deri më tani të jetë vlerë për qytetarët, në interes të drejtpërdrejtë për secilin individ të shoqërisë sonë.
Ai iu bëri thirrje të gjithëve që të kontribuojnë, t’i përkushtohen punës për realizimin e shoqërisë më të mirë si shtëpi dinjitoze për jetë të të gjithë qytetarëve. (koha.mk)