Zëvendësimi i diskriminimit sipas “gjinisë”, “identitetit gjinor” dhe “orientimit seksual”, me “dhe të tjera” në projektligjet për arsimin e ulët dhe të mesëm, kanë alarmuar aktivistët për mbrojtjen nga diskriminimi. Ata kërkojnë nga MASH që të rishikojnë tekstin përpara
Evis HALILI
Shkup, 5 tetor – Ndryshimet e fundit ligjore në projektligjet për arsimimin fillor dhe të mesëm, konkretisht eliminimi i bazave mbrojtëse nga diskriminimi – “gjini”, “identiteti gjinor” dhe “orientimi seksual” janë cilësuar si regresiste në aspektin e mbrojtjes së nxënësve nga diskriminimi dhe dhuna në procesin arsimor. Kështu kanë reaguar nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi (RrMD), sipas të cilëve, veprime të tilla shërbejnë si një sinjal për agresorët, por cenojnë edhe të drejtat e fëmijëve dhe kërcënojnë drejtpërdrejt integritetin e tyre mendor dhe fizik. Pasi kur institucionet sistematikisht përjashtojnë dhe fshijnë grupe të caktuara nxënësish, atëherë ato dërgojnë drejtpërdrejt sinjalin se inkurajohet përjashtimi dhe shtypja e mëtejshme në shoqëri e këtyre grupeve.
Për momentin, këto projektligje duhet të miratohen nga Qeveria, përpara se të dorëzohen në Parlament për votim. Sipas RrMD-së, ligjet që i janë dërguar Qeverisë për miratim janë ndryshuar në thelb dhe në kontekst nga ato që ishin në dispozicion për komentim nga publiku (ENER).
“Në këtë moment jemi të shqetësuar se Qeveria do të miratojë ligje që paraqiten si ligje për të cilat është prononcuar opinioni ekspert, por bëhet fjalë për versione që nuk janë publikuar dhe që nuk janë në dispozicion për koment. Mbi të gjitha, projektligjet nuk përmbajnë shpjegim për dispozitat e dëmshme që kërcënojnë mbrojtjen nga diskriminimi në arsimin fillor dhe të mesëm”, thuhet në deklaratë. Në projektligjet për arsimin fillor dhe të mesëm, në kundërshtim me hierarkinë ligjore, janë hequr bazat e mbrojtura të diskriminimit “gjini”, “identiteti gjinor” dhe “orientimi seksual”, që nënkupton se ky është rasti i parë i regresionit të mbrojtjes nga diskriminimi në legjislacionin tonë. Nga ana tjetër, me miratimin e këtyre ndryshimeve, RrMD thotë se ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm do të jenë në kundërshtim me dispozitat dhe frymën e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në të cilin gjinia, orientimi seksual dhe identiteti gjinor njihen si bazë për diskriminimi.
Por Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, së fundi deklaroi se në fund të fjalisë në ligj ka “dhe të tjera”, që do të thotë se mbulohet çdo lloj diskriminimi.
“Ne jemi absolutisht kundër çdo lloj diskriminimi, por pas reagimeve të opinionit konstatuam se duhet të kemi kujdes se si shprehemi. Kemi vazhdimësi dhe Ligji për Arsimin e Mesëm përmend barazinë gjinore. Që të mos ketë ndonjë keqkuptim, në fund të fjalisë ka ‘dhe të tjera’, që mbulon çdo lloj diskriminimi. Nuk e di pse duhet të rëndojmë ligjin dhe të listojmë të gjitha llojet e diskriminimit që ekzistojnë, sepse është nomoteknik. Fjala ‘dhe të tjera’ në fund të fjalisë përfshin të gjitha llojet e mundshme ekzistuese të diskriminimit”, deklaroi pak kohë më parë ministrja Janevska.
Ata kanë dorëzuar kërkesë për takim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ku do të kërkojnë që dy projektligjet të tërhiqen, të kthehen në një grup pune që do të plotësohet nga ekspertë të kësaj fushe dhe të përfshihen në grupin e punës dhe të konsultohen përpara se teksti t’i dërgohet Qeverisë. (koha.mk)