Trajneri i Mançester Siti, Pep Guardiola u justifikua mbrëmjen e djeshme se skuadra e tij nuk gjeti dot golin, për shkak se topat ishin të lehtë dhe kjo ishte e papranueshme për një kompeticion të nivelit të lartë. Duke marrë shkas nga kjo deklaratë, sajti britanik “Daily Mail” listoi 10 justifikimet më qesharake në futboll, ku mes tyre ishte dhe ankesa e çuditshme e trajnerit të Kombëtares shqiptare Kristian Panuçi, i cili u ankua për çorapet në Evropianin e vitit 2014, pas barazimit pa gola të Italisë ndaj Danimarkës.
1. Çorapet e ashpra
Thonë që një punëtor i mirë asnjëherë nuk fajëson mjetet e tij por kjo është diçka që nuk vlen për futbollistët, dhe sidomos për trajnerin aktual të përfaqësueses shqiptare Kristian Panuçi. Pas barazimit pa gola të Italisë ndaj Danimarkës në ndeshjen hapëse të Euro 2004, Panuçi fajësoi çorapet. “Kisha plagë në thembër pas ndeshjes,” shprehet Panuçi. “Materiali me të cilin janë prodhuar këto çorape është shumë i ashpër.” Por shoku i ekipit Gatusso nuk e pëlqeu aspak këtë justifikim. “Mos më bëj të qesh me këto idiotësirat e çorapeve. Kenianët vrapojnë qindra kilometra zbathur”.
2. “Tekken II” dhe “Tomb Raider”
Pas tre gabimeve të tij i kushtuan goxha Liverpulit ndaj Njukasëll në 1997, Dejvid Xhejms gjeti një justifikim tepër qesharak. Xhejms citoi varësinë ndaj lojërave kompjuterike si arsyen e paraqitjes skandaloze ndaj Njukasëll, duke thënë se kalonte shumë kohë duke luajtur “PlayStation”. “Jam shpërqendruar duke luajtur ‘Tekken II’ dhe ‘Tomb Raider’ për orë të tëra,” shprehet Xhejms. Fatkeqësisht ky justifikim nuk mjaftonte për Xhejms dhe ai u la jashtë Kupës së Botës në Francë 1998.
3. Heqja e statujës së Majkëll Xheksonit
Kur Shahid Khan mori drejtimin e Fulham një nga vendimet e tij të para ishte të zhvendoste statujën e panevojshme të Majkëll Xhekson që ishte vendosur nga ish-pronari Mohamed Al-Fajed jashtë stadiumit. Por, pas një sezoni zhgënjyes, Al-Fayed, i cili ishte një mik i ngushtë i Xhekson dhe madje e kishte ftuar të shikonte një ndeshje në “Craven Cottage”, e dinte përse kishte ndodhur. “Statuja sillte fat dhe ne e hoqëm fatin nga klubi dhe tani duhet të paguajmë çmimin. U habita kur Khan më tha se donte ta hiqte. Dhe tani ai ka paguar çmimin duke rënë nga kategoria. Më telefonoi duke më thënë se donte ta rivendoste statujën. I thashë ‘në asnjë mënyrë’”.
4. Mungesa e kapësve të topave
Hoze Mourinjo është mjeshtri i devijimit të vëmendjes nga paraqitja e skuadrës së tij pas një rezultati negativ dhe justifikimet janë nga më të ndryshmet. Por në 2011, kur një gol në fund të takimit nga Lionel Messi i dha trofeun Barcelonas në Superkupën spanjolle ndaj Real Madridit, trajneri portugez shpiku një justifikim tepër origjinal. “Ajo që po them nuk është një kritikë, por një fakt. Nuk kishte kapës topash në pjesën e dytë”, u shprehe Murinjo. “Kjo është diçka tipik e skuadrave të vogla që kanë vështirësi,” shton ai në referencë për ekipin që ka mesatarisht 80,000 tifozë në ndeshjet brenda.
5. Ngjyrat përreth fushës
Forma e dobët e Uest Hemit është e mirë-dokumentuar tashmë pasi kanë ndryshuar stadium. Rezultatet e këqija janë justifikuar me praninë e tifozëve shumë larg fushës, apo çështje ambientimi. Por tani Biliç ka deklaruar se duhet të ndryshohet ngjyra që rrethon fushë, pasi lojtarët e kanë të vështirë të dallojnë limitet e saj. “Nuk është e lehtë për një lojtar që të shohë mirë fushën kur edhe përtej saj vazhdon e njëjta ngjyrë. Është diçka që ndikon psikologjikisht te lojtarët”.
6. Fanellat e dyta ngjyrë gri
Kur Mançester Junajted ishte në disavantazh 3-0 ndaj Soutemptonit pas pushimit të pjesës së parë në prill të 1996, Sër Aleks Ferguson fajësoi fanellat e dytë të skuadrës së tij që ishin ngjyrë gri. Gjatë pushimit Ferguson kërkoi që Junajted të ndryshonte fanellë dhe ashtu ndodhi. “Lojtarëve nuk u pëlqen fanella gri. Ata e kanë të vështirë të dallojnë njëri-tjetrin. Na duhej të ndryshonim fanellat”. Skuadra e tij humbi gjithsesi, megjithëse paraqitja e lojtarëve të tij u përmirësua, me Rajan Gigs që shënoi golin e nderit për “Djajtë” me ndeshjen që përfundoi 3-1.
7. Topat ishin të lehtë
Volves u bë ekipi i parë që mban rrjetën të paprekur këtë sezon ndaj Mançester Sitit teksa kryesuesit e Çampionship kanë blinduar portën për 120 minuta përpara se të humbnin me penallti. Por Guardiola nuk i thuri elozhe mbrojtjes kundërshtare, duke fajësuar topat e përdorur. “Topi ishte i papranueshëm për një kompeticion të nivelit të lartë,” shprehet Pep pas ndeshjes. “Ishte shumë i lehtë, lëvizte kudo në fushë. Nuk ishte një top i mirë. Ishte e pamundur të shënoje me atë top. “Nuk po justifikohem. Por të gjithë lojtarët më thanë që ishte i papranueshëm. Më vjen keq, por nuk është një top serioz për një kompeticion serioz.”
8. Top me gunga
Mbrëmja e së martës nuk ishte e vetmja herë që një trajner fajëson topin për një rezultat zhgënjyes. Por teksa topi ishte shumë i lehtë për të besuarit e Guardiolas ndaj Volves, Keni Daglish i Njukasëll e ka cilësuar si të pakontrollueshëm kur përplasej në tokë ndaj Stevenage në FA Cup të vitit 1998. Gjithsesi Njukastell e ktheu rezultatin negativ një javë më vonë dhe me sa duket topat do të kenë qenë në rregull.
9. Bretkosat bëjnë shumë zhurmë
Në Kupën e Botës 2006, sulmi i frikshëm spanjoll bëri me makthe Ukrainën teksa La Roja shënoi katër herë në fitoren e thjeshtë të fazës së grupeve. Në mbrojtje të paraqitjes së dobët të skuadrës së tij, qendërmbrojtësi ukrainas Vladislav Vasçuk i vuri fajin mungesës së gjumit një natë më parë për shkak të bretkosave që kishin bërë shumë zhurmë jashtë hotelit. “Jashtë hotelit ka edhe shumë zogj,” është shprehur një zëdhënës i hotelit. “Sipas jush duhet të dalim t’i kapim të gjithë në mëngjes që të mos bëjnë zhurmë?”
10. Gjenet skoceze
Trajneri i Skocisë Gordon Strahan është sjellë si një Çarls Dauin i vërtetë kur detyrohet të shpjegojë dështimin e vendit të tij për t’u kualifikuar në Kupën e Botës që zhvillohet verën tjetër në Rusi. “Jemi mbrapa gjenetikisht,” është shprehur Strahan pasi barazimit 2-2 ndaj Sllovenisë që i dha fund shpresave të skocezëve për të shkuar në Rusi. “Gjenetikisht ne duhet të punojmë për të përmirësuar gjendjen, mbase duhet të bashkojmë femrat dhe meshkuj të gjatë dhe të fortë dhe të shohim se ç’do të ndodhë”.