Qeveria do të duhet tu paguaj dëmshpërblim dy familjeve rome për vdekjet e djemve të tyre në burgje, të shkaktuara nga moskujdesi dhe dhuna në qelitë e burgjeve. QEDR akuzon se vdekja e Andrias Rexhepov dhe Erdall Jusinov janë dy vdekje të dhunshme periudhë prej nëntë muajsh në vitin 2017, kur brenda burgjeve vdiqën nëntë të dënuar
Omer XHAFERI
Shkup, 15 shkurt – Epror i Institucionit Ndëshkues Përmirësues në Manastir, në janar të këtij viti ka ushtruar dhunë (torturë) ndaj një personi i cili e ka vuajtur dënimin me burg. Rasti në fjalë më hollësisht është përshkruar nga Komiteti i Helsinkit, i cili pasi i dhunuarit e ka denoncuar ngjarjen, ka treguar edhe shkakun se pse është rrahur nga komandantit i këtij burgu.
“Pasi ka kërkuar ta pranoj terapinë mjekësore, eprori pa asnjë arsye paraprake ka filluar ta rrah dhe me disa goditje i ka shkaktuar lëndime të dukshme në pjesën e fytyrës dhe brinjëve. Dëshmitarë të rastit kanë qenë edhe disa të dënuar tjerë, të cilët e kanë thirrur ndihmën e shpejtë dhe i kanë fotografuar lëndimet e personit të dënuar. Për shkak të dhimbjeve të shkaktuar nga sulmi fizik, ekipet mjekësore të burgosurit i kanë dhënë një injeksion”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Krahas dhunës së ushtruar, pjesëtarë të policisë në këtë burg kanë iniciuar procedurë disiplinore për sanksionimin e të dënuarit edhe pse është ushtruar dhunë nga eprori i burgut. “Drejtoria e këtij burgu me Vendim, të dënuarit i ka shqiptuar masë disiplinore ‘vetmi në kohëzgjatje prej pesë ditëve’ për shkak të, gjoja refuzimin e pranimit të terapisë dhe thirrje jo të lejuar të Ndihmës së Shpejtë mjekësore nga të dënuarit tjerë. Si rezultat i kësaj shkeljeje, ai është kthyer nga reparti i hapur A, në reparti gjysmë të hapur B”, thuhet në raportin mujore të Komitetit të Helsinkit, për të drejtat e njeriut në RMV.
Me qëllim zbardhjen e plotë të rastit, Komiteti i Helsinkit deri te Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve ka iniciuar procedurë për mbikëqyrje të çrregullt të kësaj ngjarjeje. Ngjarje të tilla në burgjet e vendit janë prezent edhe përkundër faktit se javën e kaluar, Gjykata e Strasburgut – si ndërmjetësuese, arrti marrëveshje me Qeverisë e Maqedonisë së Veriut që dy familjeve rome t’ju paguaj 24 mijë euro dëmshpërblim, për vdekjen e djemve të tyre në burgjet e vendit në vitin 2017. Familjes së të ndjerit Andrias Rexhepov (21 vjeçar) i cili ndërroi jetë në burgun e Idrizovës, më 11 mars 2017 Qeveria duhej ti kishte paguar dëmshpërblim në vlerë prej 6000 euro.
Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve, (QEDR) në njoftimin e tyre për të ndjerin Rexhepov, thonë se familja e tij është njoftuar se ai ka ndërruar jetë nga mbidoza e metadonit edhe pse nuk ka qenë i varur nga droga. Sipas tyre, ekzistojnë dëshmi se në orët kur ka ndërruar jetë Rexhepov, ai ka qenë i ekspozuar ndaj torturës. Rasti tjetër ka të bëjë me të ndjerin Erdall Jusinov, (25 vjeçar) i cili ka ndërruar jetë më 25 mars të vitit 2017 në burgun e Shtipit. Vdekja e tij, siç shprehen nga QEDR, kishte ndodhur për shkak të mos sigurimit të trajtimit mjekësor. Si në rastin paraprak – edhe në vdekjen e Jusinovit, ekzistojnë dyshime se është keqtrajtuar nga rojet e burgut. Vlera e dëmshpërblimit të cilën do ta pranojë familja e tij është 12 mijë euro. Mes tjerash nga QEDR, thonë se këto raste të vdekjeve në burgjet e RMV-së janë pjesë e katër rasteve të dyshimeve të vdekjeve të të burgosurve romë në periudhë prej nëntë muajsh në vitin 2017. Në RMV, ata thonë se skema e rasteve të vdekjeve ku përfshihen mbidoza me drogë dhe pretendimet për keqtrajtime zhvillohen disa vite më herët dhe për të cilat janë iniciuar procedura gjyqësore që nga viti 2010. (koha.mk)