Paulo Dibala dhe Lautaro Martinez u gjendën përballë njëri-tjetrit në ndeshjen e madhe të së dielës në “San Siro”, në “Derbin e Italisë” mes Interit dhe Juventusit (1- 2). Që të dy e gjetën rrugën e golit. Sulmuesi i Juventusit zhbllokoi rezultatin në minutën e katërt, ndërsa ai zikaltër barazoi shifrat momentalisht në 1-1 nga pika e bardhë e penalltisë. Në fund, ai që e mbylli “tangon” argjentinase ishte një tjetër futbollist nga Argjentina, Gonzalo Higuain, i cili shënoi në 80′, duke rikthyer në krye të klasifikimit “Zonjën”.
Tani vjen momenti i Argjentinës. Paulo Dibala dhe Lautaro Martinez do të formojnë dyshen e sulmit të skuadrës së Lionel Skalonit sonte në Dortmund, në miqësoren e luksit kundër Gjermanisë. “La Seleçion” gjendet në Dortmund prej ditës së hënë, me Angel Korrean dhe Lukas Okamposin, të cilët iu bashkuan shokëve të skuadrës ditën e djeshme. Skaloni i shfrytëzoi orët e fundit në dispozicion për të bërë zgjedhjet e tij në lidhje me formacionin që do të rreshtojë ndaj “pancerave” dhe e konfirmoi atë në konferencën e djeshme.
Trajneri i Argjentinas kishte më parë në kokë vetëm gjashtë emra të sigurt: Markezin, i cili do të mbrojë portën, pastaj Otamendi, Taljafiko, Paredes, De Pol dhe Lautaro Martinez. Sulmuesi i Interit hyri në planet e teknikut pas tripletës në 45 minuta kundër Meksikës dhe është i destinuar për t’u bërë fari i sulmit bardhekaltër.
Janë këta lojtarët nga të cilët Skaloni nuk heq dorë dhe rreth të cilëve do ta ndërtojë formacionin kundër Gjermanisë. Dilemat ishin se cili do të jetë titullar mes Foith apo Saravia në mbrojtje (do të jetë i pari) dhe Kanemanit dhe Rohos (do të jetë mbrojtësi i Junajtidit). Dyshime kishte edhe se cili do të ishte partneri i Lautaro Martinezit në sulm: por do të jenë Dibala dhe Korrea.